Lajme

Turqia shpall 10 ambasadorë të vendeve perëndimore persona non grata


Presidentit të Turqisë, Receep Tayyip Erdogan

Me urdhër të Presidentit të Turqisë, Receep Tayyip Erdogan, Ministria e Jashtme turke ka shpallur 10 ambasadorë në shtetet perëndimore persona non grata.

Ky hap i Turqisë ka ndodhur pasi që presidenti turk ka konsideruar se ambasadorët perëndimorë kanë dalë pro lirimit të Osman Kavalas, intelektual i njohur turk dhe kundërshtar i pushtetit aktual.

“I dhashë urdhrin e nevojshëm ministrit tonë të jashtëm dhe thashë se çfarë duhet bërë: këta 10 ambasadorë duhet të shpallen persona non grata menjëherë. Do ta zgjidhni menjëherë,” tha Erdogan në një fjalim para një turme në Eskisehir të Turqisë veriperëndimore.

Më 18 tetor në një deklaratë të përbashkët, ambasadorët e Kanadasë, Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Norvegjisë, Suedisë, Finlandës, Zelandës së Re dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës bënë thirrje për një zgjidhje të drejtë dhe të shpejtë të çështjes së Kavalës.

Ata menjëherë u thirrën nga Ministria e Jashtme turke, e cila e quajti deklaratën të papërgjegjshme.

Osman Kavala është njëri prej intelektualëve më të njohur turq. I njohur gjithashtu edhe si aktivist i të drejtave të njeriut.

Në vitin 2019 ishte liruar nga drejtësia turke pasi nuk kishin gjetur dëshmi të bollshme për ta dënuar. Pavarësisht apeleve të shumta ndërkombëtare, Kavala vazhdon të mbahet në paraburgim.

Kavala gjendet në burg që nga 2017-a pasi dyshohet se ka përkrahur rrëzimin e presidentit Erdogan në 2013-n dhe 2016-n. Ai i ka mohuar akuzat me të cilat e ngarkon Ankaraja zyrtare, përcjell agjencia e lajmeve Anadoll.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore