Lajme

Tuneli Prizren-Tetovë do jetë përafërsisht 600 metra më i gjatë sesa ai në Kalimash, thotë Kurti


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka vizituar Komunën e Prizrenit, ku edhe është pritur nga kryetari i kësaj komune, Shaqir Totaj, njoftoi të dielen Zyra e Kryeministrit.

Në komunikatën e lëshuar për media, bëhet me dije se në qendër të diskutimeve ishte lidhja e veçantë historike e kulturore e Prizrenit me Tetovën dhe aksi rrugor Prizren – Tetovë, të cilin kryeministri Kurti e vlerësoi jashtëzakonisht të rëndësishëm për Kosovën, por  edhe për Maqedoninë e Veriut.

Kreu i ekzekutivit e ka njoftuar kryetarin Totaj se në javën që vjen do të dërgojnë edhe qarkoren e dytë për buxhetin e vitit 2024, ndërsa tutje ka thënë se tuneli që do të kushtojë rreth 150 milionë euro, do të jetë përafërsisht 600 metra më i gjatë sesa ai në rrugën Durrës-Kukës-Morinë me gjatësi 5.6 kilometra.

“Në bazë të parallogaritjeve që janë bërë kostoja e gjithmbarshme do të jetë rreth 200 milionë euro, ku rreth 150 milionë euro janë për tunelin, që është përafërsisht 600 metra më i gjatë sesa ai në Kalimash, ndërkaq rreth 50 milionë euro do të kushtoj rruga në të dy anët e tunelit që lidhë këto dy qytete shumë të rëndësishme”.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prizrenit, ka dhënë zotimin e tij që për çdo gjë që ka nevojë dhe kanë mundësi të kontribuojnë, do të jenë të gatshëm që të kyçen në mënyrë konstruktive që të lehtësojnë dhe të mundësojnë realizimin e këtij projekti.

“Unë jam shumë i sigurt që kemi hapësirë shumë të madhe për bashkëpunim në të gjitha lëmit tjera dhe besoj që nuk do të mungojë gatishmëria nga asnjëra palë që ky bashkëpunim të vazhdojë, sepse do të ndikojë në performancë edhe të qeverisë qendrore edhe të qeverisë lokale”, ka thënë Totaj.

Për aksin rrugor Prizren-Tetovë ekziston një marrëveshje midis dy qeverive e nënshkruar fillimisht nga ish-kryeministri Zoran Zaev dhe më vonë e vazhduar nga kryeministri aktual Dimitar Kovaçevski. Kryeministri Kurti vizitoi Komunën e Tetovës të premten për diskutuar pikërisht për këtë çështje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore