Lajme

Trump krahasoi hetimin ndaj tij me “tmerret e Rusisë së Stalin-it”


Ish-presidenti amerikan Donald Trump e quajti hetimin kundër tij një “gjueti shtrigash” dhe e krahasoi atë me “tmerret e Rusisë së Stalinit” në tubimin e tij të parë parazgjedhor përpara mbështetësve në Texas.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Trump e kaloi pjesën më të madhe të fjalimit të tij gati dy-orësh në Waco, Texas më 25 mars, duke kritikuar hetimet e shumta që po kryheshin kundër tij nga autoritetet amerikane.

Ai akuzoi administratën e presidentit Joe Biden se po përpiqet të minojë shanset e tij për të fituar garën për Shtëpinë e Bardhë.

“Përdorimi i zbatimit të ligjit nga regjimi Biden si një armë kundër kundërshtarëve të tij politikë është diçka që del nga një shfaqje horror stalinist… Ka qenë një gjueti shtrigash dhe një hetim fals pas tjetrit që nga fillimi”, tha Trump.

Prokurorët e Manhatan-it po hetojnë akuzat se Trump ka shkelur rregullat e financimit të fushatës.

Një këshilltar i posaçëm i emëruar nga Departamenti i Drejtësisë po heton pretendimet se Trump mbante dokumente top-sekret dhe udhëhoqi një komplot për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.

Në të njëjtën kohë, zyra e prokurorit të Georgia-s po heton gjithashtu veprimet e Trump në vitin 2020.

Përveç kësaj, e ashtuquajtura “juria e madhe” po vendos nëse ka arsye për të shpallur akuza penale kundër Trump për shkak të shkeljeve të ligjit zgjedhor në lidhje me pagesën e ish-aktores së filmave për të rritur Stormy Daniels.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore