Lajme

Treni ‘i arratisur’ indian udhëton 70 km pa shofer


Indian Railways – organi që operon sistemin hekurudhor kombëtar të Indisë – ka urdhëruar një hetim pasi një tren mallrash përshkoi më shumë se 70 kilometra pa shofer.

Videot e shpërndara në mediat sociale treguan se treni kalonte disa stacione me shpejtësi të lartë.

Raportimet thonë se treni udhëtoi pa shofer nga Kathua në Jammu dhe Kashmir në rrethin Hoshiarpur në Punjab të dielën.

Megjithatë, treni arriti të ndalej dhe askush nuk u lëndua.

Zyrtarët i thanë agjencisë së lajmeve Press Trust of India (PTI) se incidenti ndodhi mes orës 07:25 dhe 09:00 me orën lokale të dielën.

Treni me 53 vagona, që mbante copëza guri, ishte rrugës për në Punjab nga Jammu kur u ndal në Kathua për një ndryshim në ekuipazh.

Zyrtarët thonë se ai filloi të lëvizte në një shpat në shinat hekurudhore pasi shoferi i trenit dhe ndihmësi i tij zbritën.

Treni lëvizi me një shpejtësi prej afro 100 km/h dhe arriti të kalonte rreth pesë stacione përpara se të ndalej.

Menjëherë pasi u alarmuan për trenin në lëvizje, zyrtarët mbyllën vendkalimet hekurudhore përgjatë rrugës së tij.

“Treni u ndal pasi një zyrtar hekurudhor vendosi blloqe druri në shina për të ndaluar trenin”, thanë zyrtarët.

Kjo pasi blloqet prej druri ndihmuan në uljen e shpejtësisë së trenit.

Zyrtarët thanë po ashtu se po përpiqen të identifikojnë arsyen e saktë të lëvizjes së trenit pasi ai u ndal në Kathua për të shmangur incidente të tilla në të ardhmen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore