Lajme

Transferimi dinjitoz i 13 amerikanëve, Biden i pranishëm


Nëpërmjet një statusi në Twitter, korrespondentja e CNN për Shtëpinë e Bardhë, Kaitlan Collins, ka zbuluar se Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden do të marrë pjesë në mbërritjen e trupave amerikane të rëna në Kabul.

“Presidenti Biden dhe Zonja e Parë Jill Biden janë aktualisht rrugës për të shkuar drejt Bazës së Forcave Ajrore ‘Dover’ për transferimin dinjitoz të 13 anëtarëve të shërbimit amerikan të vrarë në Afganistan këtë javë”, shkruhet në statusin e Collins.

Sipas korrespondentes, kjo është një nga aspektet më solemne të presidencës Biden.

Collins bën me dije se presidenti do të takohet fillimisht me familjet dhe më pas do të marrë pjesë në transferimin e tyre dinjitoz.

“Ai pritet të kalojë disa orë në Dover, sipas orarit të tij publik të Shtëpisë së Bardhë”, shton më tej korrespondentja e CNN, Collins.

Ndërtimi i situatës

Rreth 170 njerëz vdiqën pasi një sulmues vetëvrasës shënjestroi aeroportin të enjten e 26 gushtit.

Grupi IS-K mori përsipër sulmin vdekjeprurës.

Në shenjë hakmarrjeje, Shtetet e Bashkuara kryen një sulm me dron në Afganistanin lindor vonë të premten e 27 gushtit.

Autoritetet amerikane theksuan se gjatë këtij sulmi mbetën të vrarë dy anëtarë “të profilit të lartë” të IS-K.

Mbetet ende e paqartë nëse ata ishin të përfshirë drejtpërdrejt në planifikimin e sulmit në aeroportin e Kabulit.

Biden: Nuk ka falje, do ta paguani këtë sulm

Presidenti amerikan, Joe Biden, reagoi menjëherë pas sulmeve të ndodhura dhe marrjes së përgjegjësisë nga IS.

“Ne nuk do të falim. Ne nuk do të harrojmë. Do t’ju gjejmë dhe do t’ju bëjmë të paguani”.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, e ka bërë të qartë përgjigjen ndaj grupit terrorist ISIS-K, i cili kreu disa sulme terroriste kamikaze.

Thuajse i përlotur, duke kujtuar kohën kur ai vetë ka qenë për gjashtë muaj pjesë e luftës së Kosovës, Biden shprehu ngushëllimet ndaj familjarëve.

“Ata që humbën jetën janë heronj. Kanë qenë ushtarët më të guximshëm dhe më të zotë në botë. Ata kanë qenë dhe janë shtylla kurrizore e SHBA-ve”, vijoi Biden.

Mbi të gjitha, nuk ka asnjë lëkundje për të përmbyllur misionin e evakuimit. Ai do të përfundojë sipas planit, brenda 31 gushtit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore