Shqipëria

‘Tradita’ u thye


Mes sekondash që matin fjalë, krerët nguten të përçojnë identitetin e tyre politik drejt ndjekësve.

Nëpër spote që herë rrëfejnë për vetë ata e herë të tjera përpiqen të rrëfejnë për tjetrin, nuk ndalen së krijuari realitetin e tyre fragmentar.

Mirëpo, kësaj radhe, fati politik e deshi që krerët të mos ishin të vetmit që do të sfidonin oratorinë para kamerave dhe prozhektorëve.

‘Tradita’ u thye.

Tanimë secili kandidat mbart një numër që e përfaqëson, që e ndan nga rivalët dhe nga ana tjetër, e bashkon me grupimin ku bindjet e tij gjejnë strehë.

Të stërvitur për të mirat e shpërfaqjes audiovizive në mediat e kohës, ata po thonë fjalët e tyre.

Marketingu politik i kandidatëve

Një studiues i shkencave politike, Florian Çullhaj, tregon për Albanian Post se e konsideron fenomenin e marketizimit politik si një demokratizim të procesit, i cili deri dje ishte në duart e krerëve të partive, ndërsa tani çdo kandidat ka mundësinë por edhe përgjegjësinë të ketë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me elektoratin.

“Nga njëra anë, publiku i atomizuar i mediave tradicionale (radio, televizione) përjeton format fillestare të riagregimit nën ndikimin e mediave të reja sociale – Facebook, Twitter, blog etj. Tani rrjedha e komunikimit ka për qëllim dhjetëra, ndoshta disa qindra njerëz të përfshirë në rrjetet sociale që janë të lidhur me njëri-tjetrin, këto rrjete, nuk përbëhen më nga atome por nga molekula sociale të përbëra nga individë që e njohin njëri-tjetrin”, thotë ai.

Sipas Çullhaj, rezultati më i dukshëm i këtij ndryshimi gjendet në formën e komunikimit politik, i cili është kryesisht i përqendruar në rrjetet sociale.

“Nëse rrjeti është agora e re e cila është më e frekuentuar nga masa për pasojë edhe të pandemisë, atëherë atje duhet të jetë prezentë edhe politika, veçanërisht në kohë fushate, për të tërhequr vëmendjen dhe për të kërkuar konsensusin e elektoratit”, sqaron politologu.

Kjo pasi mediat sociale kanë potencial shumë më të lartë për të përcjellë mesazhit e tyre në të njëjtën audiencë të gjerë që më parë ishte diskrecion vetëm i kompanive të mëdha të transmetimit.

“Të bësh politik në mediat sociale është një revolucion i vërtetë dhe përparësitë janë të dukshme. Nëpërmjet kësaj mënyre ulen në mënyrë drastike kostot e fushatës, kandidatët janë në gjendje të heqin dorë nga blerja e kohës televizive, e cila ka më shumë kosto në mediat tradicionale dhe të ruajnë po të njëjtën shikueshmëri përmes mesazheve të personalizuara  që mbërrijnë drejtpërdrejt në pajisjet e secilit”, shpjegon Çullhaj.

Për të, kjo rrit aftësinë e kandidatit për të marrë vëmendje. Kandidatët arrijnë një nivel të lartë ndërmjetësimi , duke simuluar një marrëdhënie të drejtpërdrejtë dhe personale me votuesin e mundshëm, pothuajse ballë për ballë. Ndjekësit mund të komentojnë dhe të gjykojnë çdo postim të dërguar në kohë reale si dhe mund të përpiqen të bashkëveprojnë me kandidatin,  edhe pse shumica e syresh preferojnë një komunikimin me një kah.

“Kandidati mund të shprehet mbi një temë specifike pa pasur nevojë të thellohet , me ‘justifikimin’ që komunikimi në rrjetet sociale duhet të jetë lakonik. Komunikimi në rrejtët sociale e sintetizon gjuhën deri në pikën sa që komunikimi nëpërmjet sloganeve kthehet gati-gati natyral. Kjo është ideale për një kandidat. Ai mund të japë gjykime në kohë reale për çdo ngjarje, duke treguar kështu vetëbesim dhe aftësinë për t’u pozicionuar”, thotë politologu.

Në bazë të këndvështrimit të tij, kandidatët kanë mundësinë që çdo ditë të paraqesin anën më të mirë të tyre pasi tradicionalisht, publiku është i interesuar të njohë kandidatin në jetën e përditshme sepse personaliteti dhe besueshmëria e tij gjykohet gjithashtu edhe nga sjellja e tij në sferën private. Çka ai e cilëson ndryshe si “kultivim të marrëdhënies me elektoratin”.

Mirëpo, Çullhaj nxjerr edhe një tjetër avantazh të pranisë së tyre në median sociale. Kjo prani ofron aftësinë për të monitoruar vazhdimisht pëlqyeshmerinë. Zbulimi i nivelit të angazhimit të publikut dhe i ndjenjës së popullariteti është gjithmonë aktiv. Kandidatët janë të interesuar të analizojnë reagimet në çdo mesazh që ata dërgojnë. Për më tepër, stafi i kandidatit mund të monitorojë reputacionin në internet dhe të kalibrojë fushatat pasuese duke korrigjuar perceptimin e publikut.

Por, ka edhe disavantazhe. Një prej tyre për politologun ka të bëjë me zhargonin. Gjuha e përdorur në rrjetet sociale është e ndryshme nga ajo tradicionale dhe kandidati duhet ta përdorë atë në mënyrë korrekte. Por kjo nuk mjaft on, duhet të jetë i vetëdijshëm se secili rrjet social karakterizohet nga një zhargon i veçantë. Për shembull, Instagrami ka një audiencë më të re se Facebook-u, dhe se përdorimi i ironisë dhe autoironisë nisë është më se i mirëpritur.

“Ekziston një rrezik i dytë, shumë më serioz. Nevoja për të qenë vazhdimisht i pranishëm dhe i menjëhershëm në komunikim e ekspozon kandidatin ndaj rrezikut të komenteve ose gafave të nxituara. Një postim i thjeshtë në Facebook ose në Twitter mund të kthehet kundër, në një çast është e mundur të djegësh reputacionin tënd po ashtu dhe të partisë që përfaqëson”, thekson Çullhaj.

Fuqia e spoteve elektorale

Politologu tjetër, Fitim Zekthi, tregon për Albanian Post se fenomeni i shfaqjes së gjerë të spoteve së kandidatëve sidomos në mediat online, më së pari tregon fuqinë e kësaj medie dhe mundësitë më të arritshme që ajo ofron për këdo që është në një garë politike.

“Duke qenë se media online është më e aksesueshme, përdoret nga shumë e shumë njerëz, por edhe për arsyen se një spot në të kushton më pak, atëherë ajo padyshim që do të bëhet objekt i përdorimit masiv edhe për qëllime të fushatave”, thotë Zekthi.

Ai shpjegon se “shfaqja kaq e gjerë e spoteve të kandidatëve për deputet në media, sidomos në ato online, ka të bëjë me faktin që listat e kandidatëve janë në një masë të caktuar të hapura dhe kandidatët janë të detyruar të kërkojnë vota edhe për emrat e tyre veç  partisë apo subjektit politik.

“Më herët kandidatët nuk e kanë pasur këtë nevojë. Në qoftë se nuk do të ishte media online, kandidatët do të kishin shumë më pak mundësi për këtë lloj fushate për vota personale pasi në mediat tradicionale, si televizioni dhe gazeta, aksesi është shumë më i vështirë dhe më i kushtueshëm”, tregon Zekthi.

Për të ndikimi do të jetë domethënës. Vota për kandidatët do të varet në një masë të madhe nga prania e tyre ne mediat online dhe nga mënyra se si ata do të jenë të pranishëm. Kjo pasi ka shumë rëndësi jo vetëm prania, por edhe mënyra se si je i pranishëm.

“Ata kandidatë që do të kenë prani të gjerë dhe do të dinë të jenë të pranishëm në një mënyrë tërheqëse në mediat sociale, do të arrijnë të kenë vëmendjen e votuesit. Sigurisht për shkak të polarizimit të madh vëmendja kryesore do të bjerë mbi kryetarët e partive dhe kandidatët më të njohur dhe kjo do ti eklipsojë disi kandidatët e tjerë të cilët na fakt janë me qindra”, përmbyll Zekthi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore