Shqipëria

Top Channel në rrezik, kush e fiton betejën e fundit?


Një kalvar i gjatë përplasjesh së brendshme e vendimesh gjykatash mund të marrë fund më 18 janar, pasi në Gjykatën e Lartë, pritet të mësohet se kujt do t’i takojë e drejta e pronësisë së kompanisë së njohur mediatike shqiptare, Top Channel.

Lajmërimi u është dërguar të dyja palëve, ku trupi gjykues i përbërë nga Artur Kalaja, Sokol Ngresi dhe Darjel Sina, do të shqyrtojë edhe padinë e familjes Hoxha kundrejt Albert Sinos dhe Aurel Baçit, dy aksionerëve, të cilët kanë në zotërim 60% të aksioneve të Top Channel.

Rrënjët e çështjes aktuale datojnë prej 9 majit 2016, kur administratorja dhe një prej aksionereve kryesore të kompanisë, Vjollca Hoxha, e veja e krijuesit dhe themeluesit të Top Channel, Dritan Hoxha, humbi gjyqin lidhur me aksionet e kompanisë.

Këto të fundit, pas ndarjes së parakohshme nga jeta të Dritan Hoxhës, si pasojë e një aksidenti automobilistik, përkisnin 40% në favor të Vjollcës si trashëgimtare (ku përllogaritej edhe pjesa e fëmijëve, ende jo madhorë në moshë) dhe 60%, në favor të Albert Sinos dhe Aurel Baçit.

Këta të dy, miq të vjetër të Dritan Hoxhës, i patën përftuar aksionet pas një shitje noteriale të vitit 2007.

Këtu nis pikërisht e gjithë çështja.

Sipas Vjollca Hoxhës, sot administratore e kompanisë, Sino dhe Baçi përfituan nga miqësia që kishin me Dritan Hoxhën, për shkak të kritereve ligjore të nenit 20 të ligjit Nr. 9742, datë 8 maj 2007, i cili kërkonte që asnjë subjekt në fushën e medias, të mos zotërohej për më shumë se 40% nga një person i vetëm.

Kështu pra, Dritan Hoxha u detyrua të mbante vetëm 40% në emër të tij dhe 60% të tjera t’i kalonte tek Sino dhe Baçi në mënyrë formale, sipas Vjollca Hoxhës.

Me ndarjen e parakohshme nga jeta të Dritanit, ndarja e aksioneve mbeti në kuotën 40% për Vjollca Hoxhën dhe 60% për Sinon e Baçin.

Në pretendimin e trashëgimtarëve të Top-it, kontrata e shitblerjes, e lidhur më 15 qershor 2007, para noterit Artan Treska, është absolutisht e pavlefshme, pasi është kryer në kundërshti me ligjin.

Mirëpo me rritjen e trashëgimtarëve të familjes Hoxha, nga ata vetë u kërkua që aksionet t’i kalonin atyre dhe jo personave të tjerë, të cilët gjenden aty vetëm prej babait të tyre.

Kështu çështja u çua në Gjykatën e Faktit (emërtuar kështu atëherë) dhe kjo e fundit vendosi kundër Hoxhës.

E gjitha në fakt filloi në janar të vitit 2016, pas largimit të administratorit të Top Channel asokohe, Enkelejd Joti, i cili i hapi rrugë emërimit me konsesus të zgjedhjes së Vjollca Hoxhës si administratore, nga mbledhja e aksionerëve.

Argumentimi i Gjykatës, ishte i lidhur me faktin se pretendimi i Vjollcës, duket të kishte lindur që brenda dy viteve prej ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj.

Por, edhe pas kësaj ngjarjeje, 12 mbledhje të aksionerëve ishin mbajtur dhe Vjollca Hoxha kishte dijeni për ndarjen e aksioneve.

Kështu, pretendimi i saj, nuk duhet të kishte ardhur pas tetë vjetësh, në vitin 2016, gjë që bëri edhe të rrëzohej çështja e më pas, të kërkohej dërgimi i saj në Gjykatën e Lartë.

Kjo Gjykatë prej vitesh nuk ka funksionuar si duhet dhe dosjet voluminoze janë bërë pirg në sirtaret e drejtësisë.

Megjithatë, me plotësimin e trupës gjykuese dhe rifillimin e gjykimit të çështjeve, çasti ka ardhur edhe për të mësuar se kujt do t’i mbetet Top Channel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore