Aplikacione

TikTok-u po përdoret edhe për t’ju reklamuar emigrantëve ëndrrën amerikane


Videoja nis si shumica e përmbajtjeve të tjera të udhëtimit në platformë.

Shfaq përdoruesin dhe shokët e tij në një avion dhe duke ecur nëpër aeroport.

Por ndryshe nga imazhet shumë të kuruara të hoteleve dhe atraksioneve turistike tipike të këtij zhanri në TikTok, videoja merr shpejt një kthesë jo karakteristike.

Ajo paraqet përdoruesin duke fjetur në kampe, në një moment duke udhëtuar me kalë dhe në fund duke kaluar “kufirin e famshëm të vdekjes” midis SHBA-ve dhe Meksikës.

“Jemi gati të ngjitemi në mur”, ka thënë ai teksa shfaq imazhe të errëta që duket se tregojnë atë dhe shokët e tij duke u ngjitur në murin kufitar.

Videoja, e cila dokumenton udhëtimin e një të riu nga Ekuadori në Amerikë, është ruajtur dhjetë mijë herë, ka më shumë se 170 mijë pëlqime dhe gati 2 mijë e 500 komente.

Shumica dërrmuese e këtyre shifrave janë nga njerëzit që i kërkojnë atij më shumë informacion..

“Udhëtim për në SHBA”. Kjo është gjithçka që duhet të kërkoni në TikTok për të parë se sa e ngarkuar është platforma me video dhe postime rreth migrimit, veçanërisht nga Amerika Latine në SHBA.

Disa nga postimet duket se janë nga njerëz që dokumentojnë udhëtimet e tyre si emigrantë. Por shumë prej tyre pretendojnë të ofrojnë shërbime dhe këshilla për njerëzit që kërkojnë të emigrojnë nga vende duke përfshirë Guatemalën, Meksikën, Ekuadorin dhe Hondurasin.

Është e vështirë të thuash se cilat nga këto postime janë reale dhe cilat janë mashtrime.

Por në secilin rast ka rreziqe sepse këto përmbajtje po përhapen në TikTok kryesisht në mënyrë të pakontrolluar.

Vetë platforma ka thënë se “e ndalon rreptësisht këtë përmbajtje”, megjithëse nuk ka specifikuar nëse kjo përfshin postime që detajojnë migrimin e njerëzve, përveç videove që ofrojnë për të ndihmuar njerëzit të kalojnë kufirin SHBA-Meksikë.

“TikTok-u do ta hiqte menjëherë nga platforma dhe do ta ndalonte llogarinë”, ka thënë zëdhënësi AB Obi-Okoye.

“Ne përdorim një kombinim njerëzish dhe teknologjie për të mbrojtur komunitetin tonë dhe partnerë me firmat e inteligjencës në këtë fushë për të forcuar më tej mbrojtjen”, ka shtuar ai.

Përpos këtyre, mjafton të kërkohet për “udhëtim të sigurt në SHBA” ose “udhëtim të garantuar për në SHBA” dhe gjenden pafund video.

Zakonisht videot janë të thjeshta.

Përfshijnë pamje të mjegullta të një udhëtimi ose të një peizazhi të qytetit në SHBA, zakonisht të mbivendosura me një mesazh që kërkon të sigurojë përdoruesit se nuk është mashtrim.

Disa postime shkojnë edhe më tej duke treguar video dhe foto të njerëzve që supozohet se kanë kaluar me sukses me ndihmën e atyre që qëndrojnë pas llogarisë.

Këto video nuk përfshijnë shumë detaje dhe në vend të kësaj i drejtojnë përdoruesit të kontaktojnë llogarinë përmes mesazhit privat ose WhatsApp-it.

Shumë prej llogarive nuk i reklamojnë në mënyrë eksplicite shërbimet e tyre si të paligjshme, por nënkuptojnë fuqimisht se ndihmojnë njerëzit pa viza ose dokumente përtej kufirit.

Përcaktimi i përhapjes së këtij lloji të postimeve në TikTok është i vështirë sepse platforma nuk ofron mjete të jashtme që lejojnë studiuesit të auditojnë ose analizojnë të dhënat.

Sakaq, Obi-Okoye ka thënë se kompania ka hequr ato përmbajtje për të cilat është raportuar.

Megjithatë, dhjetëra video të ngjashme shfaqen kur kërkoni për këto terma, duke përfshirë disa që janë postuar vetëm javën e fundit.

Me sa duket TikTok-u ka filluar të luajë një rol më kritik në përhapjen e postimeve që synojnë emigrantët.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore