Aplikacione

TikTok-u, heqje automatike për përmbajtjet që shkelin politikën


TikTok-u, aplikacioni për ndarjen e videove të shkurtra, ka njoftuar se do të përdorë më shumë automatizim për të hequr video që shkelin udhëzimet e komunitetit nga platforma.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se aktualisht, videot e ngarkuara në platformë kalojnë përmes mjeteve të teknologjisë që punojnë për të njohur dhe shënuar çdo shkelje të mundshme të cilat më pas shqyrtohen nga një anëtar i ekipit të sigurisë.

Dhe nëse identifikohet një shkelje, videoja hiqet dhe përdoruesi njoftohet për këtë.

Kompania në pronësi të ByteDance, ka zbuluar se gjatë javëve të ardhshme do të fillojë heqjen automatike të disa llojeve të përmbajtjes që shkelin politikën mbi sigurinë, lakuriqësinë e të rriturve dhe aktivitetet seksuale, përmbajtjen e dhunshme dhe aktivitetet e paligjshme.

Kjo lloj përmbajtjeje që do të hiqet automatikisht do të jetë përveç heqjeve të konfirmuara nga ekipi i sigurisë.

TikTok-u ka sqaruar se kjo do të ndihmojë ekipin e vet të sigurisë të përqendrohet më shumë në zona shumë kontekstuale dhe të nuancuara, të tilla si ngacmimi, keqinformimi dhe gjuha e urrejtjes.

Gjithashtu ka shtuar se me shkeljen e parë do të dërgojë një paralajmërim në aplikacion. Dhe në rast të shkeljeve të përsëritura, përdoruesi do të njoftohet dhe llogaria mund të hiqet përgjithmonë.

Këto ndryshime vijnë teksa rrjetet e mediave sociale, përfshirë Facebook-un, janë vënë nën kritika për amplifikimin e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit në të gjithë platformat e tyre globalisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore