Libra

“T’i kthehemi seriozitetit”


Nëse jeni me fat të vizitoni Kunsthaus-in në Cyrih të Zvicrës, gjasat janë që nxitimi juaj do ngadalësohet nga Strandpromenade Scheveningen e Max Beckmann-it, dhe s’do mjaftoheni vetëm me një vështrim ashtu kalimthi. Nuk ju vë faj.

Koleksioni i përhershëm është madhor dhe i mbushur me vepra që kanë më shumë se thjesht fuqi joshëse. Por skena e një të riu duke kaluar rrugën përmes një fronti kërcënues ujor, me të gjitha elementet (njerëzore dhe të tjera) që janë të aranzhuara kundër tij – kjo më tha diçka.

Më vonë mësova se Beckmann shërbeu në Luftën e Parë Botërore si mjek në fushbetejë, dhe besoj se kjo është çelësi. Atë që shumica e njerëzve e shohin thjesht si një përshkrim të zakonshëm të një dite me stuhi në plazh, unë e interpretova si një shprehje rrëqethëse të një veterani të tëhuajësuar. Edhe dritat nëpër trotuare i shihja si koka të ngulitura.

Max Beckmann (1884-1950) Strandpromenade in Scheveningen 1928, Kunsthaus Zürich © 2012, DACS, London

Që kur kam hasur pikturat e Beckmann-it herët në qershor, jam duke i bluar në mendje. Kjo është për t’u habitur, sepse në atë kohë, isha duke u endur pa destinacion nëpër Evropë, duke u munduar të largohem nga jeta ushtarake që kisha lënë pas, por edhe nga mërzia akademike që kisha para.

Kalova tre javë në një fermë organike në Francë, duke hequr plehun nga stalla e një gomari dhe duke ushtruar pronarin dhe dy vajzat e tij se si të mbrohen prej goditjeve në arte marciale ose të përgatisin një hamburger të keq.

I kam ecur 250 kilometra të shtegut të Saint Jacques de Compostelle me një qantë të mbushur me gjëra rreth 30 kg. Ndalova të shoh filmin On the Road në festivalin e filmit në Kanë, duke i’u falënderuar manovrave të një miku tim që ka lidhje të mira. Bëra edhe serf me një burrë gay në Paris, i cili me 4 shokë të tij, më shoqëruan në restoranin më të flaktë në qytet.

Nata ime e fundit në Barcelonë, pasi i mbijetova një itinerari të hidhur dhe të vetë-imponuar të të gjitha gjërave të Gaudisë, u shoqërova me një vajzë italiane, një artiste grafike e lindur dhe rritur në Romë, e cila më çoi në një turne në përhumbjet e saj të preferuara të netëve të vona. Dhe duke qenë se ishte sezoni i Euro 2012, unë kalova dhe hapa birra me dhjetëra të panjohur gazmorë në bare e bistro nga Berlini në Amsterdam e në Bruksel, duke festuar sportin më të dashur në botë.

Ju mund të imagjinoni se këto janë përvoja që të mbesin në kujtesë. Por mund ta keni gabim. Çka më mbetet në kujtesë, është Strandpromenade ogurzezë e Beckmann-it.

Përkundër Beckmann-it, për mos i përmendur edhe disa nga marinsët me të cilët kam shërbyer në ushtri, unë s’kisha përjetuar trauma të luftës gjatë udhëtimit tim njëvjeçar në Afganistan. Isha spektator në raste të shpërthimeve të automjeteve, por kurrë s’kam përjetuar gjakosjen e armiqve ose miqve.

Të gjithë veteranët, pa marrë parasysh historinë e tyre, regjistrojnë një llojë tëhuajësimi me vendin e tyre kur kthehen nga lufta. Lufta moderne është shumë e zezë, dhe paqja moderne shumë joserioze.

Rikthimi në thashetheme të showbizzit dhe reality show-ëve mund të jetë gjë për tu urryer. Veterani ka tendenca të zgjohet dhe të bëjë thirrje kundër tyre. Shërbimi ushtarak mund të nxisë një vetëdije kokëfortë dhe të zymtë për vuajtjet e njerëzve të tjerë.

Kjo është një mënyrë e të qënit në botë që mund të godasë çdo individ, komunitet ose profesion, por ndoshta është mishëruar më dhunshëm në veteranin e trishtuar që shëtit të Beckmann-it.

Kjo nuk do të thotë se ushtarët tonë modernë janë shënjtorë – larg asaj. Dhe duhet të dimë se ky nocion është i rezervuar për shokët tanë të mirë, që janë gjithmonë atje në vijë të parë të frontit.

Për fat të keq, është surprizë të hasësh një shok veteran simpatitë e të cilit shtrihen përtej grupit të tij të vëllezërve dhe motrave, e aq më pak për mundimet e përditshme të afganëve ose irakianëve, ose në formë më të gjerë, të gjithë ata që luftojnë nën sisteme politike dhe forca shtypëse, brenda dhe jashtë vendit.

Por është një ndërgjegje e rëndë megjithatë, një ndërgjegje që është më pak e zvhilluar te civilët, edhe prej atyre me kredenciale elitare, që janë rritur e arsimuar me gjithë të mirat e botës.

Për të pasurit e iluminuar, kozmpolitanizmi i tyre mund të duket i plotë, por është abstrakt dhe i hollë. Për ata që kryejnë detyrat e dhunshme të perandorive të tyre, dhembshuria mund të jetë e kufizuar, por është tejet urgjente, bindëse, dhe reale.

Sipas urtisë tradicionale amerikane, gratë dhe burrat që veshin uniformën e ushtrisë bartin barrën e luftës për vendin në mënyrë që të tjerët të shijojnë lirinë.

Një rishikim më i theksuar i kësaj mund të jetë që shërbimet tona nën uniformë të kuptohen si realitet i zymtë, kështu që të gjithë të tjerët të mund të bëjnë qejfet tyre sikur realitete të tilla të mos ekzistonin.

Por çka nëse ky formulim kërkon një logjikë krejt të mbrapsht nga kjo? Çka nëse realitetet – luftat imperiale, varfëria globale, pabarazia barbare, shkatërrimi ekologjik – qëndrojnë pikërisht për shkak se klasat e njerëzve që gëzojnë rehati vazhdimisht shkojnë pas shprehive të qefit, dhe veprat e tyre janë ende në nivel adoleshence të përjetshme?

Kur të pasurit e kënaqur gjenden rastësisht të ulur pranë një ushtari në një avion, ata apatinë e tyre e shprehin duke thënë një fjali të zbehtë si: ‘Faleminderit për shërbimin tuaj.’ Por në veshët e tyre perceptues, gjesti është asgjë më shumë sesa një mënyrë e sjellshme për të thënë: ‘Faleminderit dhe Shporruni.’

Image courtesy of Harvard Medical School

Edhe pse indinjata ime s’është pa të drejtë, çfarë po them këtu është pak edhe e padrejtë. Është një element i qëllimshëm në të që minon thirrjen time për seriozitet kulturor. Sa për fillim, po pohoj më shum se ç’duhet.

Si i çasemi kësaj është e debatueshme. Është bindje e thellë e imja që taktikat duhet të jenë të shumta, dhe fuqizimet, të vogla e të mëdha. Një mundësi, për shembull, mund të jetë një konventë ndërkombëtare e udhëhequr nga veteranë të luftës të dëshpëruar. Një tjetër sugjerim është të rekrutojmë disa nga këto veteranë me ndërgjegje të njëjtë ndaj shoqërisë, dhe t’i  bëjmë zyrtarë politikë, si dhe të tjerë që na sfidojnlë ortodoksitë sunduese me të vërteta të hidhura që kanë përjetuar.

Çfarëdo hapa që mirren, duhet të shkojnë përtej progresivës ose radikalitetit. S’mund të lejojmë krenari sektare. Bastet janë të mëdha. Kemi parë shumë rënie. Dhe është detyrë e jona të jemi dëshmitarë të këtij gjyqi të madh, dhe të ballafaqohemi me padrejtisë sa më mirë që mundemi, dhe të bashkuar.

Përkthyer dhe përshtatur nga Albanian Post prej eseut origjinal ‘A return to seriousness’ të Lyle Jeremy Rubin. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore