Lajme

Kritika e radhës nga Musk për afrimin e Bezos me hapësirën


Elon Musk ka përsëritur kritikat e mëparshme ndaj miliarderit Jeff Bezos, pasi kompanitë e tyre vazhdojnë të luftojnë në gjykatat federale dhe para rregullatorëve.

“Mendoj se kam shprehur mendimet e mia në atë front. Ai duhet të japë më shumë energji për të arritur në orbitë, më shumë sesa në padi”, ka thënë Musk në konferencën CodeCon 2021 në Beverly Hills, Kaliforni.

“Nuk mund të padisni rrugën tuaj për në hënë, pavarësisht se sa të mirë janë avokatët tuaj”, ka shtuar Musk.

Kjo deklaratë e Musk-ut nuk ka mbetur pa përgjigje nga kompania Amazon e Bezos-it, tregon agjencia e lajmeve, “CNBC”.

“SpaceX-i ka një histori të gjatë për të paditur qeverinë amerikane për çështjet e prokurimit dhe për të protestuar ndaj vendimeve të ndryshme qeveritare. Është e vështirë të pajtosh atë rekord historik me pozicionin e tyre të fundit ndaj të tjerëve që kryejnë veprime të ngjashme”, ka shkruar një zëdhënës i Amazon-it.

Në më pak se një orë pasi “CNBC” publikoi deklaratën e Amazon-it, Musk-u u përgjigj në Twitter, duke argumentuar se ekziston një ndryshim i qëllimit midis padive të kompanisë së tij dhe atyre nga Bezos-i.

“SpaceX-i është paditur për t’u lejuar të konkurrojë, Blue Origin po padit për të ndaluar konkurrencën”, ka shkruar Musk në Twitter.

Lidhur me situatën, Blue Origine e Bezos-it është duke paditur SpaceX-in, në Gjykatën Federale të Kërkimeve të Shteteve të Bashkuara për një kontratë astronauti prej 2.9 miliardë dollarësh, që NASA i dha kompanisë së Musk-ut në fillim të këtij viti.

Në muajin gusht, Blue Origin nisi një ofensivë të marrëdhënieve me publikun pasi Zyra e Përgjegjësisë së Qeverisë rrëzoi ankesën e kompanisë, me sipërmarrjen e Bezos-it që e quajti raketën Starship të SpaceX-it një mënyrë “jashtëzakonisht komplekse dhe me rrezik të lartë” për të dërguar astronautët e NASA-s në Hënë.

Gjithashtu Amazon-i ka paraqitur ankesa në Komisionin Federal të Komunikimeve për propozimet e SpaceX-it mbi internetin e saj satelitor Starlink.

“CNBC” tregon se Amazon-i po punon në internetin e vet satelitor, të quajtur Project Kuiper dhe ka thënë në një dosje të gushtit se ndryshimi më i fundit i SpaceX Starlink “dështon çdo provë” të komisionit.

Në përgjigje të kësaj, kompania e Musk-ut ka thënë se Amazon-i “ka paraqitur kundërshtime ndaj SpaceX-it mesatarisht çdo 16 ditë këtë vit”.

“Paraqitja e veprimeve ligjore kundër SpaceX-it është puna e tij me kohë të plotë”, ka shkruar Musk në Twitter për Bezos-in më 1 shtator.

Gjithashtu ai ka zbuluare se nuk e dinte pse Bezos-i nuk po bënte më shumë përpjekje në kompaninë hapësinore që themeloi në vitin 2000.

“E kam inkurajuar atë që t’i mëshojë arritjes në orbitë”, ka vijuar Musk.

“Të gjitha këto gjëra që shohim në trillimet shkencore, duam të jenë të vërteta një ditë. Kështu që, mendoj se është mirë që njerëzit po shpenzojnë paratë e tyre për të avancuar teknologjinë hapësinore”, ka theksuar Musk.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore