Teknologji

Thirrje G7-ës për çështje teknologjike


Mastercard, SoftBank dhe IBM, janë pjesë e një grupi kompanish me rëndësi që i kanë bërë thirrje G7-ës të krijojë një organ të ri për të ndihmuar në koordinimin e vendeve anëtare mbi trajtimin e çështjeve nga inteligjenca artificiale deri te siguria kibernetike.

E përditshmja, Financial Times, sqaron se Forumi i të Dhënave dhe Teknologjisë, i cili u formësua pas krizës financiare të vitit 2008 dhe që do të modelohej në Bordin e Stabilitetit Financiar (FSB), do të shërbente për të ofruar rekomandime se si mund të bashkërendohej qeverisja teknologjike ndërkombëtarisht. Kjo për të mos propozuar rregullore të forta.

“Ne besojmë se një forum i ngjashëm është urgjentisht i nevojshëm për të parandaluar copëzimin dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe konsensusin mbi çështjet e qeverisjes digjitale”, është shprehur nënkryetari dhe presidenti i rritjes strategjike në Mastercard, Michael Froman.

Ai ka shtuar se “ekziston një dritare e mundësive për të forcuar bashkëpunimin”.

Propozimi i kompanive vjen në një kohë kur qasjet e vendeve ndaj politikës teknike bëhen përherë e më të ndryshme duke krijuar probleme të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Bashkë me qasjet e tyre të kundërta, rriten edhe shqetësimet globale për çështje që lidhen me privatësinë dhe sigurinë e të dhënave.

Lidhur me 25 kompanitë e përfshira, ato vijnë nga një gamë e gjerë sektorësh përfshirë ofruesit e pagesave, Visa dhe Nexi, prodhuesit e automjeteve, Toyota dhe Mercedes, si dhe kompaninë globale të kujdesit shëndetësor, GlaxoSmithKline.

Sipas Financial Times, ngjashëm si FSB-ja që u krijua për të identifikuar adresuar rreziqet sistemike të sistemit financiar, organi i ri do të siguronte një forum për trajtimin e sfidave kryesore në sektorin e teknologjisë.

Froman ka thënë se forumi është “thelbësor” për të promovuar besimin në teknologjitë e reja duke shmangur standardet e ndryshme që ofron industria. Për vendosjen e standardeve të reja, organi do të bashkëpunojë me organizata ekzistuese si Organizata Botërore e Tregtisë apo organe të tjera profesionale.

Fushat në të cilat do të përqendrohet ekipi i ri kanë të bëjnë me bashkëpunimin në rrafshin e sigurisë kibernetike, përafrimin e kornizave të inteligjencës artificiale dhe ndërveprimin global të të dhënave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore