Muzikë

The Weeknd bojkton “Grammy”, artistët me ngjyrë të anashkaluar në nominime


The Weeknd po e bojkoton evenimentin gjigand të “Grammy Awards” – këtë e tha vetë këngëtari për prestigjiozen The New York Times, transmeton Albanian Post.

Ylli i hitit “Save your tears”, tha se nuk do të jetë më pjesë e kësaj ngjarjeje pasi që kjo e fundit, refuzoi ta nominonte atë për një çmim në edicionin e sivjetshëm.

Madje, nominim nuk morri as për hitin e tij “Blinding Lights”, që ka qëndruar për plot 52 javë në top 10 këngët më të mira në Billboard, shkruan CNN.

Edicioni i 63-të i këtij spektakli do të transmetohet këtë të diel, ndërsa këngëtari i cili nuk do të shfaqet në tepihun e kuq, ka marrë parasysh veçanërisht mungesën e transparencës në procesin e votimit për çmimet më të rëndësishme.

I pyetur nga Times rreth arsyes së bojkotimit, The Weeknd u përgjigj – “Për shkak të komiteteve të fshehta”.

Nominimet në “Grammy Awards” zgjidhen nga anëtarët e Akademisë së Regjistrimit, një organizatë me bazë në Santa Monica, të Kalifornias, anëtarësia e së cilës përbëhet nga artistë të industrisë, prodhues muzikorë, dhe staf tjetër plotësues.

Që nga viti 1995, çmimet më me peshë të “Grammy Awards”, përfshirë këtu – “Artisti i ri më i mirë”, “Regjistrimi më i mirë i vitit”, “Kënga më e mirë e vitit”, dhe “Albumi më i mirë i vitit” – janë zgjedhur nga një komitet sekret i anëtarëve të akademisë, shkruan Billboard.

Por procesi përzgjedhës është vënë në kritikë vitet e fundit në përgjigjeje të artistëve me ngjyrë si: The Weeknd, Kendrick Lamar dhe Nicki Minaj, të cilët në sferën e nominimeve janë lënë anash.

Vetëm katër artistë me ngjyrë kanë fituar “Grammy” gjatë nëntë viteve të fundit. Hera e fundit kur një artisti me ngjyrë fitoi çmimin e rëndësishëm “Albumi i vitit”, ishte viti 2008, përkatësisht pianisti Herbie Hancock.

Një studim i Iniciativës së Përfshirjes USC Annenberg, zbuloi se këngëtarët me ngjyrë përfaqësonin rreth 38% të të gjithë artistëve në Billboard Hot 100 nga viti 2012 e deri në vitin 2020, por ata morën vetëm rreth 27% të nominimeve gjatë kësaj periudhe. Dhe vetëm 24% e kandidatëve kryesorë të këtij viti për “Grammy” janë me ngjyrë.

“Blinding Lights” është një nga pesë këngët numër një në Billboard në 30 vitet e fundit që nuk marrin nominime nga “Grammy”, sipas Associated Press.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore