Gjykata Speciale

The Guardian: Gjyqi ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të rishkruajë historinë e asaj që ndodhi në Kosovë


Hashim Thaçi

Prestigjiozja britanike “The Guardian” i ka kushtuar një artikull fillimit të procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë nisur betejën e tyre të fundit me drejtësinë në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë të Holandës.

Më saktësisht, artikulli i dedikohet ekskluzivisht ish-eprorit politik të UÇK-së dhe presidentit Hashim Thaçi, i cili ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ngase ai bashkë me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndër të tjera, gazeta britanike përshkruan ngjarjet historike të luftës së fundit në Kosovë, rolin e Thaçit në shtetndërtimin e Kosovës, bashkëpunimin e tij me politikanë si Tony Blair dhe Madeleine Albright, deri tek arrestimi nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Thaçi priti ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair, një nga mbështetësit më të shquar ndërkombëtarë të UÇK-së. Madeleine Albright, asokohe sekretare e shtetit të SHBA-së, ishte një admiruese e zëshme dhe Hillary Clinton u takua me Thaçin më vonë kur ajo zuri të njëjtin pozicion”, shkruhet në artikull.

“Ai u dallua mes kolegëve të tij komandantë për inteligjencën dhe besimin e tij, duke përfaqësuar më vonë UÇK-në në negociatat e dështuara të paqes në Rambuje, Francë, në fillim të vitit 1999 që i paraprinë ndërhyrjes së NATO-s në konflikt”, shkruan tutje “The Guardian”.

Nëse gjyqi në Hagë është goditës, shkruan tutje gazeta, kjo është për shkak se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë u përkufizua si një përgjigje ndaj krimeve të rënda të luftës, jo më pak e masakrës së Raçakut nga forcat serbe në janar 1999, e cila ripërcaktoi shtrirjen e ndërhyrjes ushtarake mbi baza humanitare.

Për disa, duke përfshirë diplomatët perëndimorë, të cilët u ballafaquan me Thaçin dhe komandantët e tjerë të UÇK-së, siç kujtojnë ata, mbështetja perëndimore ishte një zgjedhje – rreshtimi i interesit në Londër dhe Uashington me UÇK-në kundër Sllobodan Millosheviç-it në Beograd.

“E gjitha kishte të bënte me heqjen qafe të Millosheviç-it dhe një riorganizim pas prishjes për mungesën e mbështetjes për Bosnjë-Hercegovinën”, kujton një zyrtar që takoi Thaçin gjatë luftës, përcjellë “The Guardian”.

Thaçi, kujton më tej ish-zyrtari, kishte “një aurë autoriteti”, por nuk arriti ta rikrijonte plotësisht veten si një politikan i pavarur, siç u kërkua nga disa prej admiruesve të tij politikën perëndimorë, prandaj, sipas autorit të artikullit, gjyqi do të rishkruajë historinë e luftës çlirimtare.

“Në vend të kësaj, ai mbeti në përçmim të kolegëve të tij të vjetër në komandën e përgjithshme të UÇK-së, zgjedhje që përfundimisht do ta linin atë të pambrojtur ndaj ndjekjes penale pasi pyetjet e paqarta u shfaqën në dekadën pas luftës në lidhje me të dhënat e vetë UÇK-së”.

Me nisjen e gjyqit në prill të këtij viti ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, pretendimet e Dick Marty-t për trafikim organesh nuk u panë brenda aktakuzës. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dështuar që ato çfarë thuheshin në raport t’i përkthejë në një aktakuzë, kujton “The Guardian”.

“Ndërsa çështja ka vazhduar në gjyq me një ritëm thuajse të akullt, me Kosovën nën presion nga ish-mbështetësit e saj perëndimorë për të dorëzuar Thaçin dhe kolegët e tij të pandehur, pretendimet më të habitshme nga raporti i Marty-t – se viktimat u vranë dhe u morën organet – janë zhdukur nga procedurat”.

Prokurori i Specializuar, Alex Whiting, në deklaratën e tij hyrëse tha se të akuzuarit janë “personalisht përgjegjës” për krimet që iu ngarkohen, duke pretenduar se UÇK-ja ishte një ushtri me hiearki të mirëorganizuar dhe me strukturë funksionale dhe në krye të kësaj strukture ishte Shtabi i Përgjithshëm.

Nëse kjo ka të ngjarë të jetë një çështje e vështirë për t’u zgjidhur ndërsa vazhdon gjyqi, kjo është për shkak se edhe ata që patën mundësinë të vëzhgojnë Thaçin dhe UÇK-në nga afër, mbeten, të pasigurt se sa autoritet kishte Thaçi në periudha të ndryshme gjatë luftës dhe sa në qendër ishte organizuar UÇK-ja.

“Ai ishte një oportunist,” kujtojnë diplomatët perëndimorë për “The Guardian”. “Ai ka qenë pjesë e strukturës komanduese, por ka pasur shumë rivalitete në nivel lokal. Pyetja është, çfarë kontrolli kishte ai dhe në çfarë mase e përdorte atë?”.

Tri ditë Speciale – krejt çka ndodhi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore