Shqipëria

Thanë njëzëri “JO”


Ora shënonte 19:09. Protesta e kish marrë sadopak formën. Njerëzit ishin mbledhur.

Sytë të shihnin cep më cep fytyra rioshe. Djem e vajza të veshur në të bardha e me pankarta nëpër duar. Në më të shumtat dallohej “Unë bërtita JO”.

Dikush po bërtiste aty pranë. Ishte këngëtarja nga Prishtina, Filloreta Raçi, ajo që e organizoi protestën për rastin e 11-vjeçares së abuzuar seksualisht në Kosovë.

Po kritikonte faktin e reagimeve vetëm në media sociale, e pak daljeve në publik për t’i thënë “JO” këtij fenomeni mbytës.

Pak metra më tej, një nga protestueset po thoshte “të uleshin tonet”. Ndërkohë, sipër kokës së saj qëndronte një pankartë me mbishkrimin “Mos hesht”.

Nëse shkëputeshe për pak nga ky realitet i dyzuar dhe qëndroje në anën tjetër të turmës, shumë duar ishin drejt qiellit që ishte veshur me nuanca jete, të cilat mbanin fort pankartat.

Vendosmëria dukej e fortë. Sikur askush s’donte të largohej prej aty pa e dëgjuar të gjithë thirrjen e mbishkruar në to.

Por kishte edhe shfaqje të një sjelljeje gati-gati të pakuptueshme në raport me qëndrimin e tyre.

Nëse u drejtoje kamerën për t’i fotografuar, ajo pankartë e mbulonte fytyrën me shpejtësi të rrufeshme. Pastaj, dëgjoje të thoshin “po na fotografon”.

Mbase mund të ketë shumë shpjegime, shumë këndvështrime, për ta parë këtë veprim të shpejtë instiktiv të protestuesve.

Ama mund të jetë edhe një tjetër. Zëri i tyre ishte reflektuar në ato pankarta që i shihte dhe qielli. Ishte aty. Nuk donte as mbivendosje e as tërheqje të vëmendjes.

Britma e tyre ishte e shkruar, si për të mos u harruar kurrë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore