Lajme

Tesla tërheq mbi 26 mijë automjete amerikane, problem software-i


Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kompania Tesla po tërheq 26 mijë e 681 automjete, sepse një gabim te software-i mund të rezultojë në probleme të xhamit të përparmë.

Lajmi është bërë i ditur të mërkurën e 9 shkurtit nga Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada (NHTSA).

Vetë kompania u ka thënë rregullatorëve se gabimi mund të shkaktojë një problem që një valvul në pompën e nxehtësisë të hapet pa dashje dhe të bllokojë ftohësin.

Kështu, nevojitet kryerja e një përditësimi të software-it për të adresuar problemin.

Agjencia e lajmeve “Reuters” tregon se tërheqja mbulon disa automjete Model 3, Model S, Model X dhe Model Y që mund të mos përputhen me një standard federal të sigurisë së automjeteve motorike.

Tesla ka bërë me dije se nuk ishte në dijeni të ndonjë lëndimi ose përplasjeje në lidhje me tërheqjen e fundit.

Mirëpo, autoriteti ka thënë se problemi mund të zvogëlonte dukshmërinë e xhamit të përparmë në kushte të caktuara, gjë që mund të rrisë rrezikun e një përplasjeje.

Kompania, nga ana tjetër, ka njoftuar se ishte nxitur nga ankesat e klientëve në dhjetor për humbjen e performancës së ngrohjes në kushte ekstreme të motit të ftohtë.

Nën vëzhgimin e rregullatorëve amerikanë dhe disa ligjvënësve, Tesla ka lëshuar një numër tërheqjesh në muajt e fundit, duke përfshirë ato për çështjet e software-it.

Në SHBA, kompania ka lëshuar afro nëntë tërheqje që nga tetori, pasi përballet me hetime të qeverisë për sistemin e ndihmës së shoferit Autopilot dhe një veçori të lojës në automjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore