Lajme

Tërnava për Shëndetin riprodhues e Kodin Civil: Bien ndesh me identitetin vlerat morale të shoqërisë


Naim Ternava

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka bërë thirrje për ruajtjen e familjes si element kyç i shoqërisë, derisa ka shtuar se ka ligje që janë në kuvend, siç janë projektligjet për Shëndetin Riprodhues e Kodin Civil – të cilët janë bllokuar për shkak të mospërkrahjes nga deputetët konservatorë – që sipas tij bien ndesh me identitetin, fenë e vlerat morale që përfaqëson shoqëria shqiptare.

Këto komente, Tërnava i ka bërë në faljen e namazit të Bajramit të Fitrit, ku ka theksuar se “është urdhër hyjnor i Zotit që familja të jetë e kompletuar”.

“Siç po shihet familja në fe e traditën tonë është mirësia bazë shoqërore mbi të cilën bazohet edhe struktura e shoqërisë, është elementi i parë me të cilën ndërtohet edhe kombi ynë dhe ka lindur atdhedashuria. Me të drejt feja islame e konsideron bazë për stabilitetin dhe mirëqenien e shoqërinë”, ka thënë fillimisht Tërnava.

“Kushdo prej nesh që sjellë diskutimet, por edhe debatet e shumta që po zhvillohen kohëve të fundit në vendin tonë për aprovimin e disa ligjeve rreth familjes, sheh që këto përpjekje bien ndesh me identitetin, fenë dhe vlerat morale që posedon shoqëria jonë. Përpjekjet në këtë drejtim janë për zhdukjen apo dobësimin e moralit të lartë që bart ky popull, ngase synohet një shoqëri që jeton pa ndjenja dhe lidhje emocionale me familjen, të afërmit, traditën, zakonet dhe fisin”, pretendon ai.

Myftiu foli edhe për numrin e madh të vrasjeve e vetëvrasjeve, ku bëri thirrje për mobilizim kundër këtyre fenomeneve negative

“Si Bashkësi Islame e Kosovës jemi të shqetësuar me numrin e vrasjeve e vetëvrasjeve. Zoti thotë ‘ai që ka vrarë një njeri është sikur ta ketë vrarë krejt njerëzimin’. Kërkohet nga ne të mobilizohemi duke përfshirë të gjitha mekanizmat në parandalimin e këtyre dukurive. Nëse qëndrojmë pasiv, vetëvrasjet e vrasjes mes nesh do të jenë fatale për ardhmërinë tonë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore