Lajme

Tërmeti në Turqi, flasin nga ambasada e Kosovës në Ankara dhe MPJD


Në katërshifrorë ka arritur numri i të vdekurve nga tërmeti i cili goditi Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e kësaj të hëne.

Në Turqi jeton një komunitet i madh i shqiptarëve, por në mesin e 1200 personave të vdekur në këto dy shtete nuk bëhet e ditur për pasoja fatale për ndonjë shtetas nga Kosova.

Albanian Post ka kontaktuar me zyrtarë të Ambasadës së Kosovës në Ankara dhe të Konsullatës së Përgjithshme në Stamboll, të cilët përmes telefonit kanë thënë se deri në këto momente “nuk kanë asnjë informatë”.

Në numrin e emergjencave të ambasadës së Kosovës në Ankara, zyrtarja që u lajërua, tha se “nuk kemi asnjë informatë nëse në këtë tërmet ka ndonjë shqiptar të vdekur ose lënduar”.

“Gjendja në Stamboll është stabile, tërmeti ka ndodhur në pjesën jugore të Turqisë, kurse në Stamboll ka më shumë shqiptarë. Kështu që këtu jemi në rregull”, tha zyrtarja përmes telefonit.

“Nuk kemi të raportuar asgjë deri tash”, vazhdoi ajo duke shtua se “as shteti nuk ka informata të sakta se kush ka vdekur e kush është aksidentuar, deri tani, rrjedhimisht nuk dimë as ne asgjë”, përfundoi zyrtarja e Kosovës.

“Për pyetje të tjera lidhur me tërmetin mund t’i drejtoheni MPJD-së në departamentin e mediave”.

Një nga ndërtesat e shembura nga tërmeti në Turqi

Nga MPJD, zyrtarja për medie, Qëndresa Fazliu, ka deklaruar për Albanian Post se aktualisht “janë publikuar dy numra emergjent në faqe të AKRS në Ankara dhe Stamboll, për t’u lajmërua kushdo që ka nevojë”.

Nërkaq, në faqen zyrtar të Ambasadës së Kosovës në Turqi janë publikuar dy numra për thirrje emergjente nga zonat e prekura nga termeti, një në Ankara  një në Stamboll.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara: +90 542 711 80 99

Konsullata e Republikës së Kosovës në Stamboll: +90 531 105 63 91

Përveç të vdekurve, dëmet materiale janë tashmë miliarda euro, nëse jo më shumë.

Presidenti i Turqisë ka treguar se 2 mijë e 818 ndërtesa janë shembur si pasojë e tërmetit 7.9 shkallësh të rihterit.

Tërmeti goditi në orën 04:17 me atë lokale, në një thellësi prej 17.9 kilometrash, pranë qytetit Gaziantep, por të prekur kanë qenë edhe 10 qytete të tjera, përfshi edhe Diyarbakir-in.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë siguruar shtetin turk se Kosova është gati për të ndihmuar Turqinë përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore