Shqipëria

Tërmet 5.8 ballë në Greqi, lëkundjet ndihen në Tiranë


Lëkundje të forta tërmeti janë ndjerë natën e 9 janarit në Tiranë, pasi një tërmet ka goditur pjesën veriore të qytetit Follorine në Greqi, me magnitudë 5.8 ballë të shkallës Rihter.

Lëkundjet janë raporutar nga qytetarë të shumtë, të cilët e kanë ndjerë shkundjen sizmike deri në kryeqytetin shqiptar.

Raportim mbi dëme të mundshme nuk ka ende.

Epiqendra ka qenë rreth 119 kilometra nga qyteti i Elbasanit. Thellësia e shkundjes sizmike ka filluar në 10 kilometra.

Nga shteti fqinj sakaq, nuk ka ende raportime mbi situatën apo dëmet e shkaktuara.

Pak minuta pas shkundjes së parë më të fortë, kanë ardhur edhe dy të tjera. Në një distancë kohore prej tre minutash, një sizmë e magnitudës 3.8 Rihter dhe një tjetër 4.8, goditën sërish në të njëjtën vendodhje.

Dy lëkundjet e radhës u ndjenë sërish në Shqipëri, edhe pse më të lehta.

Në bazë të raportimeve në mediat kryesore greke, dëme të para ende nuk janë raportuar, pavarësisht shkallës së fortë të tërmetit.

Ndërkohë, ato raportojnë edhe disa paslëkundje të ndjeshme, ndër të cilat më e forta prej 4.8 e shkallës Rihter.

Nuk ka dëme

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi, ka reaguar menjëherë pas tërmetit të fortë të rënë në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, ku lëkundje të ndjeshme u raportuar edhe në zonën e Shqipërisë së Mesme.

Ministri ka raportuar situatën fillestare, ku sipas tij nuk ka dëme në njerëz apo sende. Megjithatë, strukturat e emergjencave civile janë në gatishmëri të plotë për të evidentuar raste dëmesh dhe për të reaguar në çdo situatë.

Ai ka shpjeguar po ashtu se nga matjet e Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit-Sizmicitetit, sizma më e fortë është raportuar 40 kilometra në Veri-Lindje të Bilishtit, me magnitudë 5.6 të shkallës Rihter.

Intensiteti ndërkaq, është vlerësuar paraprakisht në gjashtë ballë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore