Shqipëria

Tentuan të kalonin kufirin me para të padeklaruara, procedon penalisht 2 shtetas rumunë dhe 1 shqiptar


Policia Kufitare e Shqipërisë, mëngjesin e 17 dhjetorit ka goditur tre raste të mosdeklarimi të të hollave në kufi.

Përkatësisht do procedohen penalisht dy shtetas të huaj dhe një shqiptar, të cilët nuk deklaruan shumat monetare në kufi.

Në Morinë Policia ka sekuestruar 53 mijë e 600 euro, në hyrje të Shqipërisë, të cilat u gjetën në automjetin me drejtues shtetasin D. D, 35 vjeç, banues në Rumani.

Në Muriqan janë sekuestruar 40 mijë euro, të cilat u gjetën në automjetin me drejtues shtetasin C. B., 37 vjeç, banues në Rumani. Në automjetin e këtij shtetasi janë gjetur edhe dy radio si ato që përdor Policia.

Në Kapshticë u sekuestruan 33 mijë e 900 euro, të cilat u gjetën në automjetin me drejtues shtetasin K. Xh., 40 vjeç, banues në fshatin Zavalinë, Elbasan.

Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Drejtoritë Vendore të Policisë Kukës, Shkodër dhe Korçë janë proceduar penalisht shtetasit D. D., C. B. dhe K. Xh., për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Materialet i kaluan Prokurorive respektive, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore