Aplikacione

Telegram-i shton thirrjet video në grup


Telegram-i, aplikacioni i bisedës me mesazhe, ka shtuar bisedën me video në grupe në aplikacionin e vet celular dhe në desktop.

The Verge, faqe kushtuar teknologjisë, tregon se bisedat me zë në çdo grup në platformë mund të kthehen në thirrje video, duke klikuar ikonën e kamerës për t’u aktivizuar videoja e pajisjes.

Sipas Telegram-it, një numër i pakufizuar i përdoruesve mund të marrin pjesë në një thirrje audio, por thirrjet video në grup do të kufizohen në 30 personat e parë që bashkohen në një bisedë zanore.

Në njoftimin e kompanisë, bëhet me dije se Telegram-i ka në plan të rrisë atë limit “së shpejti”. Dhe se përdoruesit mund të ndajnë ekranet e tyre gjatë një thirrjeje video.

Pavel Durov, shefi ekzekutiv i Telegram-it, ka thënë në muajin janar se kompania kishte arritur në 500 milionë përdorues aktivë, shumë prej të cilëve erdhën në platformë pasi platforma rivale e bisedës në pronësi të Facebook-ut, WhatsApp-i, ndërmori futjen e një politike të re të privatësisë.

Mirëpo, prezantimi i thirrjeve video në grup nga Telegram-i mbetet në garë sepse WhatsApp-i, i cili kishte dy miliardë përdorues që nga muaji shkurt, i ka shtuar thirrjet video dhe ato zanore në grup që në 2018-n.

Telegram-i ka shtuar edhe disa veçori të tjera të reja, duke përfshirë uljen e përmirësuar të zhurmës dhe sfondet e animuara. Përdoruesit në aplikacionet iOS ose Android, mund të zgjedhin nga disa opsione të paracaktuara ose të krijojnë sfondet e tyre të animuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore