Shqipëria

Te Shëngjini, krahëhapur për refugjatët afganë


Asokohe, në qytetin turistik të Shëngjinit ishte një mëngjes tipik gushti.

Apartamentet dhe hotelet, të vendosura në veri të vendit, afër kufirit me Malin e Zi, ishin të mbushura me familje që përpiqeshin të përshkonin rrugën drejt plazhit të artë.

Furia e prindërve, që mbushnin çantat e plazhit me peshqirë dhe fëmijët që mbanin ndër duar komerdaret e që bërtisnin për vëmendje, e kapën në befasi Ziagul Hzimi-n.

27-vjeçarja sapo kishte zbritur nga avioni i ardhur nga Afganistani, vendi i lindjes së saj, pasi talebanët hynë në kryeqytetin Kabul dhe morën kontrollin e vendit.

Kontroll i marrë edhe për 40 milionë banorët e tij.

Mes panoramës së njerëzve tepër të shqetësuar për të siguruar shezlongun më të mirë, ajo ndihej ende e tronditur.

Këtë tronditje të saj e ka vënë re edhe ekipi i rrjetit televiziv “Al Jazeera” në vizitën e tyre në Shëngjin, te afganët.

“Duke parë të gjithë këta shqiptarë që merrnin gjërat e tyre dhe nxitonin për në plazh, m’u kujtua evakuimi i Kabul-it”, ka kujtuar ajo me një të qeshur nervoze.

“Nuk kisha dëgjuar kurrë për Shqipërinë para se të mbërrija këtu në gusht, kështu që gjithçka ishte paksa tronditëse”, ka vijuar e reja.

Me tipare të habitshme, të imëta, Hzimi është një gazetare që ka punuar për vite me radhë në qytetin perëndimor afgan, Herat.

Paçka se nuk mori asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë nga talebanët, besonte se nuk kishte asnjë mënyrë për sigurinë e saj, pasi të kishin kontrollin e vendit.

Kështu, me ndihmën e një organizate jo-qeveritare amerikane që e mbështeti punën e saj, hipi në një avion evakuimi të hershëm nga Kabul-i dhe përfundoi në Shëngjin.

Aty, për të pritur vizën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

E reja po qëndron në një nga hotelet në qendër të qytetit me rreth 1 mijë afganë të tjerë, të cilët, së bashku me të u larguan nga Afganistani i kontrolluar nga talebanët.

Një hotel “luksi”, i ftohtë krahasuar me ngrohtësinë që mbush shtëpitë afgane.

I rezervuar nga shqiptarë të pasur gjatë sezonit të verës dhe nga biznesmenë gjatë pjesës tjetër të vitit për konferenca, hoteli është marrë nën kontroll nga organizatat jo-qeveritare perëndimore që kishin nevojë për strehim të sigurt për kolegët afganë dhe familjet e tyre.

Edhe pse njerëzit që qëndrojnë në Shëngjin janë cilësuar si “refugjatë luksi”, ndjesia e humbjes ndër ta është e dukshme.

Fëmijët e vegjël vrapojnë përreth, por thuajse të gjithë të rriturit duken paksa të humbur.

Trupat e tyre mund të jenë në hotelin luksoz, por zemrat e tyre janë në Afganistan.

Kur ekipi i “Al Jazeera” vizitoi Shëngjinin në fillim të vjeshtës, turistët kishin shkuar dhe qyteti ishte jashtëzakonisht i qetë.

Shumica e restoranteve, përgjatë rrugës së vetme kryesore i kishin mbyllur dyert për në verën e ardhshme. Shezlongët ishin vendosur në magazinë dhe plazhi ishte bosh.

Në hotel, ditët e refugjatëve janë të mbushura me pritje të pafundme. Në pritje të lajmeve nga Afganistani. Në pritje të lajmeve për hapin tjetër në procesin e aplikimit të tyre për vizë.

Të atjeshmit kanë kaluar nga ndjenja e kontrollit të jetës së tyre në të qenit në mëshirën e të tjerëve.

Një burim i thellë trishtimi për më të shumtët prej tyre është edhe heqja e mundësisë për të marrë vendime të thjeshta, si momenti se kur duhet të ushqehen.

Përgatitja e tij zë një vend të veçantë për afganët, kështu që kur tre vaktet ditore të servirura fillimisht nga shefat e kuzhinës ranë shumë poshtë standardeve të tyre të larta, drejtuesi i hotelit u informua shpejt.

Tanimë, kuzhina është reformuar për t’iu përshtatur më mirë shijeve afgane, por shijet e shtëpisë, ose të paktën diçka afër tyre, janë mbajtur jashtë mundësive.

Janë edhe dymbëdhjetë anëtarë të parlamentit afganë që strehohen në hotel, pasi kanë përdorur kontaktet e tyre ndërkombëtare për të ikur nga Afganistani pas largimit të papritur të ish-presidentit Ashraf Ghani në mes të gushtit.

Por tensionet janë ndezur, pasi kjo gardë e vjetër politike është përpjekur për ndikim mbi komunitetin e refugjatëve në Shëngjin.

“Kishim probleme me deputetët në Afganistan, tani kemi të njëjtin problem edhe këtu”, ka shpjeguar Mustafa Madzidiar, ish-këshilltar i qeverisë.

30-vjeçari ka marrë rolin e koordinatorit të komunitetit në emër të organizatës jofitimprurëse National Endowment for Democracy, e cila ka ndihmuar më shumë se 300 persona të shkojnë në Shëngjin.

“Kur i shihni, mendoni se janë deputetë të Shqipërisë. Kur arritën këtu shkuan te drejtuesi i hotelit dhe u prezantuan si deputetë”, ka treguar ai.

“Ata nuk donin të qëndronin në të njëjtin objekt si njerëzit normalë… Ata mendonin se kishin ende ndikim”, ka shtuar ai.

Tregime të ngjashme

Gazetarja Hzimi, ngjashëm si Madzidiar, ndihet e lumtur që është e sigurt te hoteli. Dhe, gjithashtu, falënderuese për këtë.

Por ajo është e përhumbur nga pikëllimi.

Natën, prindërit dhe tetë vëllezërit e motrat, të cilët janë ende në Herat, vijnë në ëndrrat e saj.

Ajo nuk mendon se do t’i shohë më kurrë ata.

“Prindërit e mi më kanë përhumbur”, ka thënë ajo.

Rrallë ishte larguar nga qyteti i saj i lindjes. Përkundrazi, ishte e përqendruar që të ngjitej në shkallët e karrierës në zyrën e Herat-it të Agjencisë së Lajmeve të Grave Afgane.

“Isha e para në familjen time që shkova në universitet, kështu që babai im donte që të studioja drejtësi”, ka kujtuar e reja.

“Pa lejen e tij, iu nënshtrova provimit pranues për gazetari.

Kur kalova dhe hyra në të gjithë, familja duhej të bindte babanë tim, i cili ishte në Iran asokohe për punë, që të më lejonte të vazhdoja shkollimin”, ka rrëfyer.

Përpos vendosmërisë së çeliktë për të krijuar një jetë të pavarur për veten, nuk e kishte të lehtë.

Babai i saj nuk ishte i kënaqur që ajo të punonte me kolegët meshkuj dhe ishte i shqetësuar për reputacionin e saj. Por ai e donte vajzën e tij dhe ishte krenar për arritjet e saj.

Pas diplomimit në Universitetin e Herat-it në vitin 2017, Hzimi u bë shpejt nga praktikante e lajmeve në kryeredaktore, rol që e donte dhe që e lejoi të mbulonte të gjitha aspektet e shoqërisë, nga politika në kulturë.

Gazetaria i dha asaj lirinë dhe një mundësi për të parë në horizont dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë për gratë afgane, një të ardhme ku ato mund të merrnin pjesë aktive në të gjitha aspektet e shoqërisë.

Por… në fillim të gushtit, gjithçka ndryshoi.

Pak para se talebanët të merrnin Herat-in, familja i tha asaj të shkonte në Kabul. Si gazetare, ata ndjenin se jeta e saj ishte në rrezik. Ajo paketoi me shpejtësi gjërat dhe nxitoi për në kryeqytet.

Në hotelin e Shëngjinit ku rri, historia e saj nuk është unike.

Thuajse të gjithë janë anëtarë të ngushtë të familjes së dikujt që ka punuar me një organizatë perëndimore ose ka mbajtur një punë që mund të ketë tërhequr vëmendjen e pafavorshme të talebanëve.

Disa arritën të shkonin në Shëngjin sepse ishin në vendin e duhur në kohën e duhur dhe mundën të hipnin në një avion evakuimi. Dhe jo të gjithë mund të sillnin familjen me vete.

Gazetarja i referohet hotelit si një mini Afganistan ku të gjithë mblidhen së bashku dhe ndajnë atë pak që kanë.

Ajo qëndron në një apartament me dy dhoma gjumi me një kolege tjetër dhe e kalon pjesën më të madhe të ditës duke i dërguar mesazhe familjes në WhatsApp.

“Është një komunitet shumë i larmishëm këtu dhe të gjithë janë të sjellshëm, por të gjithë i përmbahen paksa grupeve të tyre etnike”, ka treguar ajo duke iu referuar strukturës komplekse shoqërore të Afganistanit.

“Askush nga ne nuk e kishte menduar ndonjëherë se do të përfundonim në Shqipëri”, ka ravijëzuar e reja.

Rendi natyror i gjërave

Shqipëria, tregon “Al Jazeera”, ishte një nga vendet e para që hapi dyert për afganët kur talebanët morën pushtetin më 15 gusht.

Brenda pak orësh, kryeministri Edi Rama i tha botës se kombi ballkanik do të shërbente si një “vend tranzit” dhe do të priste refugjatët.

Fillimisht, qeverisë së tij iu afruan dy organizata jo-qeveritare të mëdha nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kërkonin strehim të sigurt për kolegët dhe familjet e tyre.

Më pas, nga administrata e presidentit amerikan Joe Biden.

Kështu, brenda 10 ditëve u konfirmuan dy vendndodhje në Shëngjin dhe Durrës.

“Të gjithëve u pëlqen ta shohin këtë si një nder për SHBA-të, por kjo ka të bëjë me ne. Ka të bëjë me atë se kush jemi dhe çfarë kemi qenë gjithmonë dhe ka të bëjë me rëndësinë e anës njerëzore”, ka thënë kryeministri për “Al Jazeera”.

“Kjo na vjen natyrshëm dhe është aq e trishtueshme sa duket kaq e veçantë kur duhet të jetë rendi natyror i gjërave”, ka shtuar ai.

Dhe rrjeti televiziv e vë në dukje këtë, si një fakt që vendi ka qenë edhe herë të tjera në gatishmëri dhe gjithashtu pranues.

Një brez i ri

Duke qëndruar te hoteli, refugjatët besojnë se do të rrinë në Shqipëri për më shumë se një vit, teksa dokumentet e tyre të përpunohen.

Për 21 gratë që, si Sweeta Amani, janë shtatzëna, nënkupton se një brez i ri afganësh do të lindë në Shëngjin.

29-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve, e ulur në dhomën e apartamentit të saj ndjen lehtësim se fëmija i saj do ta lindë në një vend të sigurt.

Pas mbërritjes në Shqipëri më 10 tetor, shtatzënia e saj nuk ka qenë e lehtë. Në ditët që pasuan rënien e Kabul-it, burri i saj e detyroi të mblidhte gjërat thelbësore të familjes dhe të nxitonte për në aeroport.

Ai kishte punuar në një organizatë që promovonte demokracinë, diçka që mund t’i kishte lënë atij një vend në çdo listë hakmarrjeje talebane.

“Në atë kohë isha shtatzënë në muajin e pestë dhe për dy net, u shtypëm me 10 mijë njerëz të tjerë duke u përpjekur të futeshim në aeroport”, ka kujtuar ajo.

“Kisha shumë dhimbje, por nuk doja të krijoja panik te fëmijët. Nuk e di ku e kam gjetur forcën gjatë atyre pak orëve”, ka vijuar ajo.

Disa orë pasi familja u largua, më shumë se 150 njerëz u vranë kur një burrë shpërtheu një jelek vetëvrasës në mes të turmës.

E turpshme, por e modës në veshje, asaj i pëlqen hoteli ku po qëndron.

Dy djemtë e saj, pesë dhe nëntë vjeç, mund të vrapojnë lirshëm dhe ajo nuk ka pse të shqetësohet për sigurinë e tyre.

Gjithashtu ka marrë këshilla mjekësore nga eksperte vullnetare si Farida Yakubi, një pediatre afgane nga Londra, e cila ka marrë me qira një apartament në qytet në mënyrë që të mund të jetë në gatishmëri për njerëzit në nevojë.

Mbi të gjitha, ka detin pranë. Një pamje me të cilën ende nuk është mësuar.

“Gjithmonë kam dashur që burri im të na sigurojë një shtëpi pranë detit, kështu që është mirë që e përmbushi atë premtim”, ka thënë ajo me buzëqeshje.

Në mesin e refugjatëve, nuk është e vetmja që e do detin.

Për shumë prej tyre, mbërritja në Shëngjin shënon herën e parë që arritën të shihnin det me sy.

Teksa fëmijët kanë mësuar të notojnë, rëra është bërë tapet për ndeshjet e futbollit në mbrëmje.

Ndërkaq, ngrohtësia dhe qetësia e valëve kanë ndihmuar për të qetësuar shqetësimin që shumë nga ta ndiejnë për të ardhmen.

“Menduam se do të na vendosnin në një kamp në Shqipëri”, ka thënë nëna e re.

“Herë-herë më duket sikur po ëndërroj kur zgjohem këtu. Ende nuk duket reale. Djemtë e mi janë këtu. Burri im është këtu. Vjehrra ime është këtu. Mendoj se vogëlushja ime na ka sjellë fat”, ka rrëfyer ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore