Lajme

Të përshpejtohet afrimi i Ballkanit Perëndimor me BE-në, thotë Baerbock


Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock deklaroi se diskutimi për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian duhet të përshpejtohet.

Lajmi u bë i ditur nga Radio Evropa e Lirë, duke cituar fjalën e kryediplomates gjermane.

Sipas saj, nuk duhet humbur më kohë në përpjekjet për integrim dhe harmonizim.

Deklarata e zyrtares gjermane erdhi pas bisedimeve në Berlin me homologen e saj sllovene Tanja Fajon.

“Në Ballkan nuk duhet të krijohet asgjë ku Rusia apo aktorë të tjerë mund të vendosen”, theksoi fillimisht Baerbock.

Ajo vërejti se përveç Rusisë, ndikim më të madh në Ballkanin Perëndimor po kërkon Kina.

“Ballkani Perëndimor është gjeografikisht në mes të BE-së. Duhet që përfundimisht t’i sjellim njerëzit e Ballkanit Perëndimor në qendrën tonë politike”, nënvizoi ministrja gjermane.

Bashkimi Evropian, shtoi Baerbock, duhet të kishte mbajtur premtimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit, veçanërisht me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Është në interesin tonë strategjik dhe gjithashtu një çështje e besueshmërisë”, ravijëzoi në përmbyllje Baerbock.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore