Lajme

Të paktën 6 të plagosur pasi shpërthimi shkatërroi ndërtesën qeveritare në Kharkiv


Të paktën gjashtë persona u plagosën, duke përfshirë një fëmijë, në një shpërthim në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv. Lajmin e ka bërë të ditur Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës në një postim në Telegram të martën.

Shpërthimi shkatërroi një ndërtesë qeveritare, sipas videove të incidentit të postuara nga Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës (MOFA) dhe zyrtarë të qeverisë ukrainase. Klipet u postuan në mediat sociale herët të martën me orën lokale.

“Rusia po bën luftë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare humanitare. Vret civilë, shkatërron infrastrukturën civile. Objektivi kryesor i Rusisë janë qytetet e mëdha që tani qëllohen nga raketat e saj”, shkroi Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës në median sociale Twitter të martën, duke shpërndarë një video që tregon atë që duket të jetë një sulm me raketa në ndërtesën e Administratës Shtetërore Rajonale të Kharkiv.

Një video e veçantë e postuar nga Kostiantyn Nemichev, Shefi i Shtabit të Mbrojtjes së Kharkiv, tregoi pasojat e sulmit të supozuar, duke përfshirë pjesën e brendshme të ndërtesës e cila ishte kthyer në rrënoja.

Ndërtesa e Administratës Shtetërore Rajonale strehon zyrat e qeverisjes vendore. Ajo ndodhet në “Sheshin e Lirisë” – sheshin kryesor të Kharkiv dhe një pikë referimi arkitekturore.

Anton Gerashchenko, këshilltar i Ministrit të Punëve të Brendshme të Ukrainës, ndau gjithashtu një video në llogarinë e tij zyrtare në Telegram të marrë nga niveli i rrugës në Sheshin Liria. Videoja tregon vendin e shpërthimit dhe mbeturinat në tokën ku dikur qëndronte ndërtesa e Administratës Shtetërore Rajonale në Kharkiv.

Ndërsa kreu rajonal në zonën e Kharkiv, Oleh Synehubov, ka pretenduar se forcat e Putin-it kanë shënjestruar zonat e banuara me raketa Grad – një sistem artilerie i montuar në kamion, i aftë për të lëshuar dhjetëra raketa njëkohësisht.

Synehubov shkroi në median sociale Telegram se trupat ruse kanë qëlluar në “sheshin përpara zyrës rajonale të administratës shtetërore” dhe tha se zyrtarët “tani po vlerësojnë viktimat në mesin e popullatës civile”.

“Armiku ynë nuk ka zgjidhje tjetër veçse të kryejë krime të pabesë lufte si kjo, sepse ushtria jonë është e fortë dhe ne po mbajmë mbrojtjen tonë”, tha Synehubov.

Sipas Konventës së Gjenevës, të cilën Rusia e ka ratifikuar, shënjestrimi i qëllimshëm i civilëve gjatë një konflikti të armatosur konsiderohet një krim lufte.

Lexo zhvillimet e fundit duke klikuar KËTU

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore