Lajme

Të moshuarit grekë përballen me gjobë mujore nëse nuk vaksinohen


Greqia nga e hëna do të vendosë gjoba për të gjithë personat e moshës 60 vjeç e lart që nuk janë vaksinuar kundër COVID-19, si një mënyrë për të rritur nivelet e vaksinimit dhe për të ulur presionin ndaj kujdesit shëndetësor.

Kryeministri, Kyriakos Mitsotakis u ka thënë të moshuarve se mënyra më e thjeshtë për të shmangur gjobën është vaksinimi.

“Për pak bashkëqytetarë tanë mbi 60 vjeç që janë ende të pavaksinuar, i inkurajoj sot: bëni hapin”, tha ai të shtunën.

“Nuk është çështje gjobe, por gjoba do të vendoset. Kjo është më e pakta. Mbroni jetën tuaj, jetën e atyre që doni dhe kuptoni se vaksina është e sigurt”.

Autoritetet greke thonë se të pavaksinuarit mbeten në rrezik të lartë për shtrimin në spital nga coronavirusi. Rreth nëntë në 10 vdekje të lidhura me COVID në Greqi kanë qenë mes shtetasve 60 e lart, ndërsa shtatë në 10 prej atyre të shtruar në spital nga virusi janë mbi 60 vjeç. Dhe prej tyre, tetë në 10 janë të pavaksinuar.

Përpara se vaksinat e detyrueshme të shpalleshin në nëntor, rreth 520 mijë të moshuar në Greqi nuk ishin vaksinuar, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë.

Personat mund të gjobiten me 100 euro (114 dollarë) në muaj. Dënimi do të vendoset nga autoritetet tatimore greke drejtpërdrejt për ata që nuk janë vaksinuar dhe fondet e mbledhura do t’u jepen spitaleve që luftojnë pandeminë.

Në këtë pikë qeveria ka ezauruar të gjitha mjetet e tjera të bindjes, tha të enjten zëdhënësi Ioannis Oikonomou.

Ashtu si pjesa më e madhe e Evropës, Greqia ka parë që rastet e përditshme të shënojnë rekorde këtë muaj për shkak të variantit shumë ngjitës Omicron. Vdekjet nga COVID po shkojnë në nivele të ngjashme me kulmin e valëve të mëparshme.

Greqia ka rreth dy të tretën e popullsisë të vaksinuar plotësisht, nën mesataren e Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore