Lajme

Të martën mbahet seanca dëgjimore për ish-pjesëtarin e UÇK-së të arrestuar në Serbi


Xhevdet Smakiqi, avokat i ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj që u arrestua të premten nga autoritetet e Serbisë në pikëkalimin kufitar në Merdarë, ka njoftuar se klienti i tij është dërguar nga Qendra e Ndalimit në Kushumli në Qendrën Kryesore të Paraburgimit në Beograd.

Sipas Smakiqit, pjesëtari i UÇK-së Hasan Dakaj siç pretendon prokuroria serbe në vitin 1999 “ka kryer krime lufte si 19 vjeçar”, derisa për këtë të fundit të martën pritet të mbahet një seance dëgjimore për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë serbe lidhur me masën e paraburgimit.

“Arrestimi i Hasan Dakaj është ndalim politik për të iu hakmarrë pjesëtarëve të UÇK-së për arritjen e pavarësisë dhe që mos t’i lejojë ta gëzojnë liberalizimin e vizave kategoria që ka kontribuar për këtë ditë përbën çështje politike dhe fare pak juridike”, ka shkruar ai në Facebook.

Po ashtu Smakiqi i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti, ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe secilit diplomatë që të bëjë “presion diplomatik e politikë” që ndërmjetësit e dialogut dhe ambasadat e vendeve mike të ndikojnë që Hasan Dakaj i pafajshëm të lirohet sa më shpejtë.

“Kurse thirrjet nga zyrtarët e shtetit të Kosovës qofshin dhe diplomatë të Kosovës që qytetarët e Kosovës të mos lëvizin nëpër territorin e Serbisë janë tërësisht jo profesionale dhe vegjetojnë arrestimet politikë të kundërligjshme”.

Dy ditë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të reagojë dhe të ndërmarrë hapa konkretë që Serbia ta lirojë Hasan Dakajn.

MPJD-ja ka thënë se ka aktivizuar të gjithë mekanizmat institucionalë dhe se ka njoftuar Zyrën e Bashkimit Evropian në Serbi, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore