Jetesë & Stil

Të jesh nënë për herë të parë, sfidat dhe kujdesi për një të porsalindur


Të jesh nënë për herë të parë ka sfidat e veta, pasi keni përmbushur një detyrë sfiduese të lindjes së foshnjës, tani detyra e rritjes së vogëlushit tuaj është ajo që po ju shqetëson.

Keni menduar se sapo fëmija juaj të lindë, gjithçka do të jetë mirë, por ndërsa nisni udhëtimin e amësisë, e kuptoni se nuk keni ide për t’u kujdesur për atë krijesë delikate.

Çdo nënë ndihet nervoze për menaxhimin e një të porsalinduri. Sidoqoftë, me kohën dhe durimin, do të mësoni të kujdeseni më së miri për të.

Brengat më të zakonshme të nënave të reja

Ndërsa foshnja varet nga ju për gjithçka, përgjegjësia juaj rritet. Një veprim juaj i gabuar mund të dëmtojë fëmijën dhe ky mendim ju bën edhe më nervoze. Por nuk ka pse të shqetësoheni, këto thjeshtë janë disa mendime të zakonshme të përjetuara nga të gjitha nënat e reja.

Çfarë nuk shkon me foshnjën time?

Teksa vendoseni në rutinën tuaj të prindërimit, do të vini re se fëmija juaj qan shpesh. Në muajt e parë, ju nuk do të jeni në gjendje të kuptoni pse fëmija po qan. Kurdoherë që ai qan, do të pyesni veten nëse diçka nuk shkon me të.

Do të shqetësoheni vazhdimisht për zakonet e tij të ngrënies dhe të gjumit. Këto mendime do të rrotullohen në kokë dhe ju do të jetoni në frikën e përhershme, se mos nuk jeni mjaft i mirë për fëmijën tuaj.

Por, mos u stresoni shumë. Flisni me prindërit tuaj ose me ndonjë nënë me përvojë. Mësoni nga përvojat e tyre dhe krijoni mënyra të reja për ta qetësuar fëmijën tuaj.

A do mundem ta ushqejë me gji?

Si nënë për herë të parë, këtë pyetje do t’ia bëni vetes shumë shpesh. Ushqyerja me gji është një përvojë e re dhe pothuajse të gjitha gratë përballen me probleme në ushqyerjen me gji në ditët e para të lindjes.

Shumë nëna të reja shqetësohen gjithashtu nëse foshnjat e tyre refuzojnë qumështin e gjirit.

Ato fillojnë të mendojnë për alternativa ndaj qumështit të gjirit. Nëse edhe ju keni dyshime të tilla në mendje, atëherë mos u mendoni dy herë para se të kontaktoni me një mjek.

Pyete atë për pozicionet e gjidhënies dhe sa shpesh duhet të ushqehet një fëmijë me gji. Merrni përgjigje për dyshimet tuaja dhe do të ndiheni shumë më mirë.

Kujdesi për foshnjën

Të kujdesesh për një të porsalindur nuk është e vështirë, është thjesht një përvojë e madhe dhe diçka që do të mësosh ndërsa koha kalon.

Gjithçka që duhet të bëni është të ndiqni instinktet tuaja. Besojuni aftësive tuaja prindërore dhe do t’i plotësoni të gjitha nevojat e foshnjës.

Ushqyerja me qumësht gjiri

Në muajt e parë të lindjes, sigurohuni që ta keni ushqyer me gji foshnjën tuaj. Qumështi i gjirit është ushqyes dhe do të ndihmojë në rritjen e sistemit imunitar të foshnjës tuaj. Ushqeni atë në intervale të rregullta, d.m.th. për të paktën tetë deri në 12 herë në ditë. Mos e ushqeni me qumësht formule para se foshnja të mbush tre muaj, përveç nëse nuk ka asnjë mundësi tjetër.

Trajtojini me kujdes

Trupi i një të porsalinduri është delikat dhe duhet të trajtohet me kujdesin më të madh. Sigurohuni që një dorë të jetë gjithmonë në mbështetje të kokës së foshnjës, edhe kur e mbani atë në këmbë me pamje nga shpatulla. Gjithashtu mund të kërkoni këshilla nga mjeku juaj në lidhje me këtë.

Mbajini thonjtë e shkurtër

Shkurtoni thonjtë rregullisht. Lëkura e foshnjës është shumë delikate dhe mund të lëndohet nëse keni thonj të gjatë. Përveç kësaj, edhe thonjtë e fëmijës duhet të shkurtohen, në intervale të rregullta, pasi ai mund të gërvishtë fytyrën e tij. Sidoqoftë, bëjeni me kujdes, teksa foshnja është duke fjetur.

Lidhuni me foshnjën tuaj

Mundohuni të lidheni me fëmijën tuaj në ditët e para pasi besohet se lidhja fillestare është e përjetshme. Zhvilloni një lidhje emocionale me foshnjën tuaj.

Ekzistojnë tre mënyra për t’u lidhur me të voglin tuaj: kontakti lëkurë më lëkurë, kontakt me sy dhe përgjigje ndaj nevojave të foshnjës. Ushqyerja me gji inkurajon kontaktin lëkurë me lëkurë. Ndërsa ushqeni me gji, sigurohuni që sytë e foshnjës të jenë të hapur.

Kur fëmija ju shikon në sy, familjarizohet me ju dhe kjo ju ndihmon të dy të lidheni. Gjithashtu është e rëndësishme që të kujdeseni për nevojat emocionale të fëmijës tuaj për të forcuar lidhjen.

Shikoni për shenjat e mbi stimulimit

Të qarat e foshnjave zakonisht gabohen si shenja të urisë ose mungesës së gjumit. Sidoqoftë, jo gjithmonë kjo është e vërtetë. Bebet mund të qajnë edhe kur stimulohen shumë. Koha e lojës është thelbësore për një fëmijë, por shumë aktivitete mund të rezultojnë në stimulim të tepërt. Nëse fëmija juaj është i mbingarkuar, çojeni në një vend të qetë dhe flisni me të me një zë qetësues.

Por mos harroni, planifikimi i një orari është më i rëndësishmi, ai do t’ju ndihmojë ju dhe foshnjën në planin afatgjatë. Ka shumë gjëra për të cilat duhet të kujdeseni kur të sillni të porsalindurin në shtëpi.

Pavarësisht se është hera juaj e parë, është një përvojë e një jete që do ta mbani mend dhe do ta çmoni gjithmonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore