Lajme

Tanket izraelite lëvizin drejt qytetit të Gazës, nis faza e dytë e luftës


Izraeli ka filluar fazën e dytë të luftës kundër Gazës, pasi një numër i madh tankesh raportohet se hynë nga pjesa juglindore e Gazës, duke përparuar drejt anës perëndimore.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi “Al Jazeera” dhe agjencia franceze “AFP”.

Sipas transmetuesit me bazë në Qatar, tanket janë afër një kryqëzimi që lidh pjesë të ndryshme të Gazës.

Nëse ata arrijnë dhe marrin kontrollin e kryqëzimit, ata do të ndajnë efektivisht jugun dhe veriun e Gazës nga njëri-tjetri, duke penguar ndjeshëm lëvizjen e njerëzve.

Forcat izraelite lëshuan një paralajmërim duke udhëzuar njerëzit që të mos udhëtojnë midis jugut dhe veriut të Gazës.

Hazem Qasem, një zëdhënës i Hamasit në Gaza, konfirmoi lajmin për tanket izraelite që po afrohen në periferi të qytetit të Gazës.

“Rezistenca palestineze sulmoi tanket izraelite në rrugën Salah Al Din”, tha ai për Al Jazeera.

Ai shtoi se tanket izraelite kanë pushtuar gjithashtu një zonë në juglindje të Gazës pasi e shkatërruan atë më herët nga sulmet ajrore.

“Rezistenca palestineze është gjithmonë e gatshme për çdo përpjekje izraelite për pushtim tokësor”, shtoi zëdhënësi i Hamas-it.

Palestinezët e armatosur po angazhohen me forcat izraelite që po përpiqen të hyjnë në qytetin e Gazës.

Dëshmitarët i thanë AFP-së se tanke u panë në rrethin Zeitoun.

Ata qëllojnë në drejtim të çdo automjeti që tenton të shkojë përgjatë rrugës, citohet të ketë thënë një banor.

Zëdhënësi i IDF-së Daniel Hagari deklaroi se ushtria izraelite po kryen operacione të gjera tokësore brenda Rripit të Gazës dhe se aktiviteti sulmues do të “vazhdojë të intensifikohet në përputhje me fazat e konfliktit dhe objektivat e tij”.

Më tej ai theksoi se ka një angazhim të drejtpërdrejtë ndërmjet IDF-së dhe forcave terroriste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore