Lajme

SHBA/ “Talebanët të pamëshirshëm, por mund të bashkëpunojmë”


Gjenerali i Ushtrisë Amerikane, Mark Milley, njëkohësisht edhe kryetar i Shtabit të Përgjithshëm, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të bashkëpunojnë me talebanët.

Ky bashkëpunim, sipas tij, do të jetë për sulmet kundër terrorizmit në Afganistan, përkatësisht ndaj militantëve të Shtetit Islamik ose të tjerëve.

Natyra e marrëdhënieve SHBA-talebanë është në qendër të vëmendjes.

Komandantët amerikanë janë koordinuar çdo ditë me komandantët talebanë jashtë Aeroportit Ndërkombëtar të Kabulit.

Kjo për të lehtësuar evakuimin e më shumë se 124 mijë njerëzve.

“Në luftë ju bëni atë që duhet, për të zvogëluar rrezikun dhe jo atë që ju domosdoshmërish dëshironi të bëni”, u shpreh gjenerali për bashkëpunimin e talebanëve me amerikanët mbi situatën e krijuar në Kabul.

Komentet e tij u bënë gjatë një konferencë për shtyp me sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Ai nuk ngurroi t’i quante talebanët “të pamëshirshëm”.

“Nëse ata ndryshojnë apo jo, kjo mbetet për t’u parë”, shtoi ai.

Ushtria amerikane rrëzoi talebanët nga pushteti në vjeshtën e vitit 2001 dhe luftoi kundër tyre për 19 vitet që pasuan.

Prania diplomatike amerikane në Kabul është zhvendosur në Doha, Katar.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka vënë në dukje disa herë kohët e fundit se talebanët janë armiq të njohur të Provincës Khorasan të Shtetit Islamik (IS-K), duke sugjeruar një interes të përbashkët me Shtetet e Bashkuara.

Biden ka premtuar shënjestrim të mëtejshëm të IS-K në përgjigje të shpërthimit vetëvrasës javën e kaluar.

Arritja e militantëve të Shtetit Islamik ose grupeve të tjera ekstremiste, siç është Al-Qaeda, do të jetë më e vështirë pa asnjë forcë ushtarake amerikane në terren dhe pa forca miqësore qeveritare me të cilat të ndajnë inteligjencën.

Por, administrata e Biden-it pohon se mund t’i përmbajë këto grupe, duke monitoruar dhe potencialisht duke goditur me asete të bazuara diku tjetër në rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore