Lajme

Talat Xhaferi pranon zyrtarisht detyrën për formimin e Qeverisë


Ish kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryeministri i emëruar Talat Xhaferi.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, të premten e ka pranuar zyrtarisht detyrën për ta formuar Qeverinë.

Lajmin e ka bërë të ditur Xhaferi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Me krenari dhe nder të veçantë e pranova Mandatin për formimin e Qeverisë. Edhe nga pozita e Kryeministrit do të vazhdoj të punoj me përkushtim, me përgjegjësi dhe transparencë, duke i pasur gjithmonë parasysh mirëqenien, përparimin dhe përfitimet e qytetarëve dhe shtetit”, ka shkruar ai.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, të enjten edhe zyrtarisht ka dhënë dorëheqje nga postimi i kreut të ekzekutivit maqedonas, duke hapur rrugën për procesin e formimit të një qeverie teknike.

Gjatë dorëzimit të dorëheqjes në Kuvend, Kovaçevski ka thënë se ai sërish do të kthehet në këtë post, pas zgjedhjeve parlamentare.

“Më 9 maj Qeveria sërish do të udhëhiqet nga unë sikur edhe shumica parlamentare, e cila do të sigurojë anëtarësimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në BE deri në vitin 2030”, ka deklaruar Kovaçevski, i cili është edhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM).

Ai ka thënë se zgjedhjet e 8 majit do të jenë “betejë mes partive politike që favorizojnë orientimin perëndimor të shtetit, dhe partive politike që janë për një orientim të qartë lindor të vendit”.

Kuvendi pritet që të premten të zgjedhë kryeparlamentarin e ri, Jovan Mitreski, i cili aktualisht është kryetar i grupit parlamentar të Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), derisa të dielën deputetët maqedonas do të votojnë për qeverinë teknike të Maqedonisë së Veriut – për herë të parë nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Përveç LSDM-së dhe BDI-së, aktualisht në pushtet, në qeverisjen teknike duhet të jetë edhe opozita (VMRO-DPMNE), të cilës i takojnë Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale dhe tre zëvendësministra me kompetenca të veçanta, që do të thotë se ministrat nuk do të mund të marrin asnjë vendim pa miratimin e tyre.

E paqartë mbetet pjesëmarrja e opozitës nacionaliste nën drejtimin e liderit të VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, në qeverinë teknike të Maqedonisë së Veriut sepse ai është shprehur kundër që ekzekutivi të udhëhiqet nga një shqiptar, duke paralajmëruar se nuk do t’i dërgojnë në legjislativin maqedonas ministrat e propozuar në qeverinë 100-ditëshe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore