Kosova

Takohen Lajçak e Escobar, flasin për zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor


I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajcak, është takuar me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar dhe kanë biseduar për zhvillimet e fundit.

“Është mirë të takohem me Gabriel Escobar për të përditësuar njëri-tjetrin mbi zhvillimet më të fundit në Ballkanin Perëndimor dhe Dialogun e lehtësuar nga BE. Unë jam shumë mirënjohës për mbështetjen e fortë dhe të qartë për punën time”, ka shkruar Ljaçak në Twitter.

Ndryshe Lajçak, në një intervistë për Euroneës Albania, Lajçak ka thënë se aktualisht ka shtete të palëkundura në qëndrimet e tyre rreth liberalizimit të vizave për Kosovën, por si temë po diskutohet mjaftë shpesh.

“Mund të them që kjo problematikë po ngrihet mes vendeve anëtare shumë më shpesh gjatë takimeve të organeve të ndryshme evropiane, andaj mendoj se është afër”, u shpreh Lajçak.

“Sërish ka një vendim të palëkundur në mes të shteteve anëtare të BE-së, që Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë”.

“Nuk ka asnjë dyshim që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hequr sistemin e vizave dhe problemi qëndron sërish tek mungesa e konsensusit”, sqaroi ai.

Lajçak foli edhe për dialogun Kosovë- Serbi. Ai vlerëson se ndërmjet dy palëve është arritur mjaftë progres edhe pse nuk ishte shumë i dukshëm deri tani.

“Është bërë shumë punë dhe ka pasur progres edhe pse kjo nuk ka qenë edhe aq e dukshme, por e vërteta është se dy kryenegociatorët po takohen çdo muaj në Bruksel dhe ne po diskutojmë një numër çështjes konkrete, si implementimi i marrëveshjeve të nënshkruara që janë miratuar para disa viteve por nuk janë implementuar”, deklaroi Lajçak.

“Ne gjithashtu po diskutojmë rreth çështjeve të ditëve të sotme për tu siguruar që ato të mos kthehen në probleme të mundshme dhe së fundmi ne po punojmë edhe për të ardhmen e marrëveshjes së normalizimit”.

Ai bëri të ditur se po planifikon një takim të liderëve ndërmjet dy shteteve para fillimit të pushimeve verore.

“Ne do të kemi një tjetër takim mes kryenegociatorëve javën e ardhshme. Me shpresë ne do të mund të njoftojmë rreth një marrëveshje shumë të rëndësishme. Dhe unë gjithashtu po shpresoj t’i bëj të dy liderët bashkë në Bruksel, për takimin e tretë të nivelit të lartë para pushimeve të verës”, përfundoi Lajçak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore