Lajme

Takimi në Bruksel, një “aneks” dështimi


Bruksel, 14 shtator 2023

Në pengesa të pakapërcyeshme kanë hasur sërish përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE) në synimin e tyre për të arritur një “marrëveshje kompromisi” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke shënuar një tjetër dështim në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve armiqësore që kurrsesi të dalin nga situata para-konfliktuale.

Raundi i ri i “negociatave të vështira” diplomatike nën kujdesin e BE-së nuk ka arritur t’i përmbushë pritshmëritë në aspektimin e krijimit të atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që palët kanë marrë përsipër veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes marsit në Ohër.

Për mungesën e rezultateve në funksion të zbatimit të Marrëveshjes Bazë nga takimi i së enjtes mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka fajësuar kreun e ekzekutivit kosovar për mosgatishmërinë e tij për të pranuar propozimin e BE-së për kompromis.

Nga salloni i konferencave në Bruksel, kreu i politikës së jashtme të BE-së ka njoftuar se kryeministri kosovar ka këmbëngulur që fillimisht të formalizohet njohja de facto e Kosovës nga Serbia, pastaj të zbatohen pikat tjera të Marrëveshjes Bazë, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe apo “instrumentin vetëmenaxhues” për komunitetin serb në Kosovë.

“Fatkeqësisht, pas një takimi të gjatë, kryeministri Kurti nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me një proces të besueshëm për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Në vend të kësaj, ai ka insistuar që hapi i parë të jetë formalizimi i njohjes de facto”, ka njoftuar Borrelli, derisa ka shtuar se “ne kemi propozuar të zbatohen këto paralelisht”.

Nga ana tjetër, kryeministri Kurti ka thënë se “kushtëzimet e Serbisë janë shndërruar në qëndrim të emisarëve”, ndërsa ka mohuar pikësëpari që mbi tavolinë ka pasur ndonjë propozim të BE-së, përveç një “dokumenti të vjetër” të paraqitur nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ku themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe kushtëzohet me përmbushjen e pikave të tjera.

“S’ka propozim Beogradi. Ka dokument kushtëzues. Nuk mund të ketë kompromis mes propozimit dhe kushtëzimit”, ka thënë kryemistri Kurti, ndërsa s’i ka kursyer aspak kritikat ndaj Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili, sipas tij, ka pranuar kërkesën e Vuçiçit që zbatimi i Marrëveshjes Bazë të kushtëzohet me themelimin e këtij mekanizmi për serbët.

“Për keqardhje që Lajçaku e ka pranuar një kushtëzim të tillë e kushtëzimin nga Serbia e ka bërë në cenim të funksionit të tij. E unë nuk mund të pranoja diçka të tillë duke cenuar Kosovën, kryeministër i së cilës jam. Për këtë dokumentin e vjetër të kushtëzimit – një herë asociacionin e pastaj shohim – nuk kemi qenë në dijeni”, ka nënvizuar kreu i ekzekutivit kosovar.

E lajmëtari se negociatat kishin rezultuar pa sukses ka qenë presidenti serb, i cili duke folur para gazetarëve në Bruksel, ka konfirmuar se çështja ka ngecur pikërisht tek sekuencimi i zbatimit të Asocacionit të Komunave me shumicë serbe e të cilin e ka cilësuar “thelbin e gjithçkaje”, njëkohësisht duke e akuzuar kryeministrin Kurti se po i shmanget obligimeve ndërkombëtare.

“Sa i përket rrjedhës, nuk ka pasur shumë gjëra të këndshme, por shumë gjëra të pakëndshme. Logjikisht, të gjithë po luftojmë për të veten. Serbia nuk po ikën nga detyrimet e saj. Dhe ne e pranuam një propozim të tillë, pavarësisht se nuk ishte i lehtë”, ka deklaruar Vuçiçi, ndërsa ka paralajmëruar se një gjë e tillë “çon vetëm në probleme edhe më të mëdha”.

“Kjo është diçka që kemi insistuar nga fillimi. Kemi pranuar çdo gjë që jemi pajtuar më vonë, në vitet në vijim, veçanërisht këtë vit. Por, duhet të fillojmë me zbatimin, çdo gjë duhet të nisë me asociacionin. Por, pala tjetër nuk dëshiron. Është një rreth vicioz, duke pritur për të njëjtën çështje”, ka deklaruar ndër të tjera presidenti serb.

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet që të fillojë urgjentisht zbatimin e nenit shtatë të Marrëveshjese Bazë (Bruksel, 27 shkurt – Ohër, 18 mars) për normalizmin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me të cilën parashihet një “nivel i përshatshëm i vetëmenaxhimit/vetëqeverisjes” për komunitetin serb në Kosovë që përbën shumicën në pjesën veriore të Kosovës.

Nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare e përshkruajnë këtë një “detyrë urgjente” dhe një ndër “hapat ekzistencial” për aspiratat euro-atlantike të Kosovës, ndërsa gjithnjë e më shumë pritet hartimi i një draft-statuti nga Qeveria e Kosovës që do t’i hapte rrugë themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë apo “instrumentit vetëmenaxhues” për serbët e Kosovës.

Megjithatë për kryeministrin Kurti fillimisht duhet që Kosova të njihet de facto nga Serbia, pastaj të fillojë procesi negociues mbi statutin e “instrumentit të vetëmenaxhimit” të komunitetit serb deri në “sigurimin e qëndrueshmërisë juridike” të statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe sigurisht vlerësimit të kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese.

Përfundimi i negociatave për statutin e këtij mekanizmi madhor për serbët e Kosovës, sipas propozimit të Qeverisë së Kosovës, vjen vetëm pas përmbushjes së hapave të paraparë me Marrëveshjen Bazë që i referohet direkt frymës së parimeve të përgjithshme të Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) që i rregullon marrëdhëniet e përbashkëta.

Shpresa që nxjerr kryet për të marrë paksa frymë, posaçërisht pas tensioneve në pjesën verioriore të Kosovës dhe bllokimit të ecurisë së procesit të dialogut që i mbajti të zënë diplomatët perëndimorë përgjatë gjithë kësaj kohe, duke se po fundoset përsëri e zhgënjyer, duke zbehur edhe perspektivën e normalizimit të marrëdhënive mes Kosovës e Serbisë.

Në vend që tensionet e fundit në pjesën veriore të Kosovë t’i inkurajojnë palët që të dëshmojnë se janë kombe me kurriz dhe që i kontribuojnë paqes në rajon dhe më gjerë, negociatat diplomatike të përfaqësuesve evropianë po kthehen më shumë në arsye për papajtueshmëri sesa për të zgjidhur problemet, ndërsa harku i krizës në pjesën veriore të Kosovës mund të zgjerohet edhe më tej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore