Shqipëria

Takimi i Kim me ministren Bilali, në fokus tërheqja e investimeve


Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, është takuar me ministren për sipërmarrjen, me të cilën ka folur për tërheqjen e investimeve në vend dhe masat kundër korrupsionit.

Lajmin e ka bërë të ditur vet ambasadorja Kim nëpërmjet një postimi në platformën Twitter, ku ka ravijëzuar se së bashku me ministren Edona Bilali është në pritje të investimeve amerikane në Shqipëri.

“Nga takimi me ministren e re për sipërmarrjen, Edona Bilali, të cilën e takova për herë të parë në Shkodër. Diskutuam mënyrat për të tërhequr më shumë investime të huaja dhe vende pune. Mezi presim të bashkëpunojmë ngushtë për të rritur investimet e SHBA-ve në Shqipëri, nga veriu në jug”, ka shkruar Kim.

Gjithashtu ajo ka shtuar se në këtë kontekst është me rëndësi edhe trajtimi i çështjeve të lidhura me korrupsionin në mënyrë që ato të shmangen.

“Diskutuam për kërcënimin e korrupsionit ndaj sigurisë dhe prosperitetit. Inkurajojmë masa konkrete për të rritur qartësinë e rregullave, transparencën e proceseve (përfshirë digjitalizimin) dhe refuzimin e praktikave korruptive”, ka vijuar Kim.

Kjo, për ambasadoren, shërben në arritjen e asaj që të gjithë të kenë mundësi të drejta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore