Lajme

Takim sekret mes CIA-s dhe talebanëve


E përditshmja amerikane “Washington Post” (WP), ka publikuar raportimet për një takim sekret mes drejtorit të CIA-s, William J. Burns dhe udhëheqësit të talebanëve, Abdul Ghani Baradar.

Takimi i këtyre niveleve të larta është zhvilluar të hënën e 23 gushtit mes tyre.

Burimet e WP-së vijnë nga zyrtarë amerikanë, të cilët janë njohur me çështjen e bisedimeve.

Sipas WP-së, ky vendim i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden për të dërguar veteranin e shërbimit të jashtëm dhe diplomatin më të dekoruar në kabinetin e tij, vjen në mes të një përpjekjeje të furishme për të evakuuar njerëzit nga aeroporti ndërkombëtar i Kabulit.

“Transporti ajror më masiv dhe më i vështirë në histori”, e ravijëzonte Biden më herët këtë operacion.

Nga zyrat e CIA-s nuk ka ardhur asnjë koment mbi takimin taleban, por diskutimet ka të ngjarë të kenë të bëjnë me afatin e afërt të 31 gushtit.

Kjo, për përfundimin e transportit ajror të qytetarëve amerikanë dhe aleatëve afganë.

Administrata Biden është nën presion nga disa aleatë për t’i mbajtur forcat amerikane në vend përtej fundit të muajit.

Britania, Franca dhe aleatët e tjerë amerikanë kanë thënë se nevojitet më shumë kohë për të evakuuar personelin e tyre, por një zëdhënës i talebanëve paralajmëroi se SHBA-të do të kalonin një “vijë të kuqe” nëse i mbanin trupat përtej datës 31, duke premtuar “pasoja”.

Deja vu

Për Baradarin, ky është një takim me të kaluarën. WP-ja shkruan se këto bisedime marrin nuanca ironie pas 11 vitesh.

Në vitin 2010, Baradar u gjurmua nga CIA dhe u arrestua nga shërbimet inteligjente pakistaneze në Karaçi. Në vitin 2018, me kërkesë të amerikanëve, zyrtarët pakistanezë e liruan atë nga burgu për të marrë pjesë në negociatat e paqes në Doha.

Sot, Baradar luan rolin e homologut me drejtorin e CIA-s.

Udhëheqësi taleban, megjithatë, nuk është i huaj për perëndimorët, shkruan më tej WP-ja.

Pas lirimit të tij nga burgu në 2018, ai shërbeu si kryenegociatori i talebanëve në bisedimet e paqes me Shtetet e Bashkuara në Katar që rezultuan në një marrëveshje me administratën Trump për tërheqjen e forcave amerikane. Në nëntor të vitit 2020, ai bëri një fotografi me ish-Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo.

Që nga marrja e kontrollit nga ana e talebanëve, ai ka ruajtur një ton pajtues, duke thënë se grupi militant po kërkon “një sistem islamik në të cilin të gjithë njerëzit e kombit mund të marrin pjesë pa diskriminim dhe të jetojnë harmonikisht me njëri -tjetrin në një atmosferë vëllazërie”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore