Lajme

Tahiri: Veriu, pa sovranitet e me protektorat të shtuar


Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, Edita Tahiri, ka thënë se Qeveria Kurti po bën ”propagandë” për ndryshime thelbësore në veri të vendit.

“Veriu pa sovranitetin e shtetit plus me protektorat te shtuar, forcat e KFOR-it çdo ditë po shtohen në Veri – propaganda e qeverisë se ka bërë ndryshime thelbësore në veri janë të pavërteta, në veri nuk funksionojnë gjykatat e Kosovës, nuk funksionojnë katër komunat, nuk paguhet rryma, madje as faturat e rrymës nuk iu kanë shkuar qytetarëve”, shkroi ajo në Facebook.

Sipas saj, i vetmi institucion që funksiononin është Policia e Kosovës, por pa policët serb, derisa ka shtuar se “në qeveritë e kaluara e shtrijmë sovranitetin në veri, i vendosem te gjitha institucionet e shtetit ne veri, e vendosem kufirin me Serbinë, madje shënjuam dhe pikat kufitare”.

Dy ditë më parë, Tahiri ka thënë se Kosova ka cenuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si asnjëherë më parë dhe për këtë e fajësuar kryeministrin Albin Kurti, të cilin e quan “mashtrues e të padijshëm”.

“Kurrë Kosova nuk ka pasur situata të tilla kaq të rënda, ne u ndëshkuam nga amerikanët me fajin e Kurtit. Por, kjo nuk po i mjafton Kurtit sepse e ka agjendën e vet populiste, është në kërkim të krizave të reja në veri për interesat e pushtetit. Sepse ai ka bërë shumë premtime populiste ndaj votuesve të vetë”, tha Tahiri në një intervistë për Kosovapress.

Teksa ka folur për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB, ajo ka theksuar se për herë parë në histori, Kosova është kritikuar nga aleatët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore