Lajme

Tahiri: Sulmet e ulëta të ministrave karshi deputetëve të opozitës janë të papranueshme


Abelard Tahiri nga PDK

Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka mbajtur konferencë për media pasi deputetët PDK-së lëshuan seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, pas fyerjeve dhe gjuhës së ulët të përdorur nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kundrejt tyre.

Tahiri në konferencë tha se shumica parlamentare ka pamundësuar zhvillimin normal të seancave të Kuvendit, duke i degraduar ato me një jo-seriozitet karshi opozitës, përkundër që opozita mundohet të jetë konstruktive.

“U bëj thirrje që të jenë në seanca. Të jenë korrekt dhe të prezantojnë punën  e tyre, të kenë angazhim për atë që janë votuar, pra për ligjet të cilat duhet të vijnë t’i përfaqësojnë dhe t’i prezantojnë para Kuvendit të Kosovës dhe të mos sillen me këtë arrogancë”, është shprehur ai.

Tahiri kërkoi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që t’i ndaloj ministrat e tij të përdorin gjuhë të ulët ndaj deputetes së PDK-së, Blerta Deliu Kodra duke ia cenuar lirinë e fjalës.

“Kjo mazhorancë ka sjellë ministra të papërgjegjshëm, ministra jo-kompetentë. Dhe kur ministrat janë jo-kompetentë për punën e tyre, siç e patë edhe rastin e Ministres së Drejtësisë atëherë dalin me shpifje dhe me gjëra të pavërteta në raport me deputetët e opozitës”, tha ai.

Tahiri tutje ka deklaruar se janë bërë dy muaj që Kuvendi ka dështuar të mbajë seanca. Sipas tij kjo ka ndodhur për shkak të mos-pranisë së shumicës parlamentare.

Ndërsa në vazhdim të seancës deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar dhe Projektligjin për Provimin e Jurisprudencës.

Kuvendi i Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore