Lajme

Tahiri, Qeverisë: Në vitin 2023 rënduat mirëqenien e qytetarëve dhe funksionimin e shtetit


Abelard Tahiri.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratikë të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se është rënduar mirëqenia e qytetarëve dhe funksionimi i shtetit me vendime të dëmshme.

Ai në një konferencë për media ka listuar tri nga angazhimet më kryesore të cilat PDK-ja, sipas tij i ka kundërshtuar.

“PDK e ka kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike mbi 115 %. Ne kemi propozuar edhe rezolutë përmes së cilës kemi kërkuar që të rishikohet çmimi i energjisë, që po del të jetë i papërballueshëm për ekonomitë familjare të vendit tonë”.

Si çështje të dytë që e kanë kundërshtuar ai e ka radhitur rritjen e tatimit në pronë.

“PDK ka kundërshtuar edhe rritjen e tatimit në pronë me 100 %, si një tjetër vendim i kësaj shumice që ka rënduar jetën e qytetarëve tanë. Edhe për këtë temë PDK ka propozuar rezolutë dhe aktualisht është në rishikim ligji për tatimin në pronë”.

Propozimi i tretë i PDK-së, ka qenë që të largohet TVSH-ja në produktet ushqimore.

“Dhe, çështja e tretë për të cilën PDK ka avokuar dhe të cilën ky pushtet e ka kundërshtuar, është heqja e TVSH-së për produktet esenciale ushqimore. Për të gjitha këto është angazhuar PDK, e të gjitha i ka kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje, duke rënduar jetën e qytetarëve tanë”, ka thënë Tahiri.

Ai ka potencuar se si rrjedhojë e humbjes së shpresës dhe rritjes së kostos së jetesës, në tre vjetët e fundit ka një shifër alarmante të qytetarëve të cilët e kanë lëshuar Kosovën.

“Gjatë këtij viti, vendi ynë është sulmuar nga një grup terrorist nga Serbia, ku kemi parë një reagim tejet profesional të Policisë tonë. Për këtë arsye dhe të tjera, PDK ka propozuar një rezolutë përmes së cilës ka kërkuar që për Policinë tonë të realizohen shtesat, pensionimi i parakohshëm dhe të buxhetohet për vitin tjetër sigurimi shëndetësorë për ta”.

“Fatkeqësisht dhe padrejtësisht, Vetëvendosje e ka kundërshtuar edhe këtë rezolutë”, ka thënë ai.

Teksa ka përmendur edhe një numër të ligjeve dhe vendimeve që ka nxjerrë shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës, të cilat kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën.

“I kemi dërguar gjashtë ligje dhe tri vendime të shumicës parlamentare për kontestim në Gjykatën Kushtetuese. Deri më tani, për dy ligje kemi marrë përgjigje pozitive nga Gjykata Kushtetuese ndërsa katër ligje dhe tri vendime priten të procedohen në fillim të vitit tjetër”.

Ndërsa, ka folur edhe për Ligjin e Buxhetit për vitin 2024, i cili, sipas tij, është diskriminues për qytetarët e komunave të cilat nuk udhëhiqen nga partia në pushtet.

“Rreth 50 % e buxhetit për investime të reja kapitale ju është ndarë katër komunave të cilat udhëhiqen nga Vetëvendosje. Ky është diskriminim politik, i papranueshëm, sepse Qeveria duhet të jetë për të gjithë qytetarët e vendit”, ka thënë ai.

Po ashtu, ka kritikuar edhe agjendën parlamentare dhe menaxhimin e punës në Kuvend nga shumica parlamentare.

“Agjenda parlamentare është karakterizuar me kaos të plotë. Kanë dështuar me dhjetëra seanca ndërsa herë të tjera, brenda një seance, kanë kaluar mbi 25 ligje. Këtu, vetëm efikasitet nuk ka mundur të ketë. Përkundrazi, kjo e ka dëmtuar jetën parlamentare dhe jetën e qytetarëve tanë”.

E vetmja gjë pozitive që ka ndodhur gjatë vitit 2023, sipas Tahirit, është ligji për reformën zgjedhore.

Edhe, sipas nënkryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, Kosova është duke e përmbyllur vitin 2023 si “më të rëndin” dhe “më të dështuarin”, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në 2008-ën.

Ajo në një konferencë për media më 28 dhjetor ka potencuar se politika e jashtme e Kosovës, është karakterizuar nga “kakofonia, mungesa e vizionit dhe shumësia e skandaleve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore