Lajme

Çitaku për 2023-ën: Më i dështuari që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës – kjo mendësi përçarëse e Qeverisë do të marrë fund


Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Sipas nënkryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, Kosova është duke e përmbyllur vitin 2023 si “më të rëndin” dhe “më të dështuarin”, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në 2008-ën.

Ajo në një konferencë për media ka potencuar se politika e jashtme e Kosovës, është karakterizuar nga “kakofonia, mungesa e vizionit dhe shumësia e skandaleve”.

“Suksesi i vetëm i kësaj Qeverie është angazhimi i këshilltarëve me paga mijëra euro në muaj, pa asnjë rezultat për Kosovën. Qasja e papërgjegjshme e Qeverisë së Kosovës, kacafytja e hapur dhe publike me aleatët tanë kryesorë, solli reduktimin e ambicieve për Kosovën nga ndërmjetësit e dialogut”.

“Si rrjedhojë përfunduam me një marrëveshje, e cila nuk është as gjithëpërfshirëse, as finale, e as me njohje reciproke në qendër. Përfunduam me një draft-statut të pranuar nga kryeministri Kurti, i cili në esencë është një Kushtetutë për serbët e Kosovës dhe krijon një sistem paralel brenda Republikës sonë”, tha ajo.

Sipas saj, një njëri me mendje të shëndoshë nuk do ta dëshironte këtë pasqyrë negative.

“Në një vit kur u konkretizua procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, qoftë me miratimin e statusit kandidat, qoftë me hapjen e negociatave për Bosnje Hercegovinën, Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë, aplikacioni i Kosovës mbeti i patrajtuar”.

“Po ashtu, Kosova vazhdon të mos ketë qasje në qindra miliona euro të fondeve zhvillimore të dedikuara për Ballkanin Perëndimor”, shtoi Çitaku.

Ajo ka shtuar e bindur se, “në vitin tjetër me mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kjo mendësi rrënuese dhe përçarëse e kësaj Qeverie, do të marrë fund”.

Më 22 dhjetor, Çitaku i kishte konsideruar si “joserioze” shtatë pikat që kryeministri Albin Kurti, i propozoi të premten që, sipas tij, do të ishin në funksion të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore