Lajme

Tahiri për qeverisjen e Kurtit: Ka rënë miti i pastërtisë


Besnik Tahiri

“Qeveria Kurti i ka dhënë disa tregues shumë të rëndësishëm – ka rënë miti i pastërtisë”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, duke iu referuar aferave korruptive që janë duke e shoqëruar qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

“Thuhet që janë mbi pesë ministra të hetuar për korrupsion. Rasti i Martin Berishajt është serioz, i cili është duke u hetuar dhe ndaj ankesës së të cilit ka pas refuzim prej vendeve ku është diskutuar kjo temë për energji”, tha Tahiri për agjencinë kosovare të lajmeve “KosovaPress”.

“Rasti i rezervave shtetërore është serioz, ku është paguar malli me një kontratë njëburimore, e cila qenka lidhur me një mashtrues polak”, rast për të cilin kishte raportuar ekskluzivisht Albanian Post, “ku janë dhënë 10 milionë euro dhe diku në vlerë 600 mijë euro, nuk ka ardhur malli hiç kurrë”.

Jashtë kësaj, sipas Tahirit, “qasja e deritanishme e qeverisë Kurti në dialog e ka kthyer Kosovën në humbëse dhe ka dobësuar vendin tonë në rrafshin ndërkombëtar por edhe në atë të brendshëm”.

Këto komente ai i ka bërë, pak ditë pasi që Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, njoftoi se me 14 shtator do të mbahet takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Në vend që Serbia që është vendi i vetëm në Evropë që nuk i ka vendosur masa Rusisë të sanksionohet, sot e sanksionuar është Kosova për shkak të një politike qorre, jo strategjike dhe kryesisht taktike për interesa të ngushta votuese të Lëvizjes Vetëvendosje e ka sjell Kosovën në humbëse…”.

Kosova, pohon Tahiri, “sot është më dobët në rrafshin ndërkombëtar”, dhe “është më e dobët në sovranitetin e vendit të vet”.

“Kosova është më e dobët në vendimmarrjen e saj. Secili vendim që është marrë prej 31 korrikut të vitit të kaluar, tablat, gjobat të gjitha janë kthyer prapa”, mendon Tahiri.

Përveç mënyrës së zhvillimit të dialogut, deputeti i AAK-së, për pushtetin ka kritika edhe për nismën e qeverisë që përmes peticionit t’i shkarkojë kryetarët e katër komunave Veriore.

“Vakumi ligjor me peticion është shumë problematik. Kush e administron peticionin? Kush e vlerëson peticionin? Sa është numri i njerëzve që duhet të nënshkruhen në atë peticion? Apo ia jep Serbisë prapë një letër me thënë qytetarëve serbë mos e nënshkruani peticionin”, shtoi.

Tutje, Tahiri theksoi se problemi në Veri të Kosovës “është i trashëguar”, por se “gjatë rrugëtimit ka pasur disa aktivitete ku gjyqtarë serbë kanë nënshkruar me logo të Kosovës, policë që kanë nënshkruar kontratën me logon e Kosovës, po ashtu edhe zyrtarë komunal”.

“Por po e shoh se Kurti ka marrë një pozicion tjetër, mirëpo në atë qasje duhet të kesh një pozicion final se deri ku ndalesh dhe ku ecë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore