Lajme

Tahiri kërkon nga opozita t’i shpallë “vijat e kuqe” para takimit në Bruksel


Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialog, Edita Tahiri.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialog, Edita Tahiri, ka kërkuar që opozita t’i shpallë vijat e kuqe për takimin e radhës në Bruksel, më 14 shtator.

Tahiri, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se nuk duhet të vendosen kompetenca ekzekutive për Asociacionin.

“Opozita duhet të shpallet “vija të kuqe” për takimin e radhës së dialogut të Bruskelit siç janë: Jo kompetenca ekzekutive për Asociacionin, jo nivel i trete i qeverisjes, po zbatim të plote të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për statutin e Asociacionit, te mos befasohemi që Kurti të dal me statut në atë takim, te cilën po e bënë ‘nen rrogoz”, ka shkruar ajo. 

Zyrtarët evropianë, pas pushimeve verore, kanë filluar përgatitjet për ri-fillimin e dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa takimi mes dy palëve është caktur me 14 shtator.

SHBA-ja dhe BE-ja e përshkruajnë këtë “detyrë urgjente” dhe një ndër “hapat ekzistencial” për aspiratat euro-atlantike të Kosovës.

Tash, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po pritet hartimi i një draft-statuti që do t’i hapte rrugë themelimit të këtij mekanizmi madhor për serbët e Kosovës.

Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social X, Lajçak kishte thënë se në fokus të diskutimeve me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, kanë qenë përgatitja e terrenit për organizimin e një takimit të nivelit të lartë në Bruksel në muajin shtator, si dhe situata në Veri të Kosovës.

Top-diplomati sllovak nënvizoi se kanë biseduar edhe për përmbushjen e mëtejshme të kërkesave që janë paraqitur në deklaratën e 27 vendeve të BE-së më 3 qershor për de-eskalimin e plotë të situatës në Veri të Kosovës.

“Pata një takim të rëndësishëm me kryeministrin Albin Kurti, sot në Bled. Temat tona kryesore e diskutimit ishin përgatitjet e takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë në shtator me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës të 3 qershorit”, kishte shkruar Lajçak.

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet që të fillojë urgjentisht zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjese Bazë (Bruksel, 27 shkurt – Ohër, 18 mars) për normalizmin e marrëdhënieve me Serbinë, me të cilën parashihet një “nivel i përshatshëm i vetëmenaxhimit/vetëqeverisjes” për komunitetin serb në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore