Lajme

Tahiri kërkesë Kurtit: Mos na trego se çfarë bënë Radojçiçi në Rashkë, na trego përse e lejove të ikte më 24 shtator


Shefi i grupit parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri.

Shefi i grupit parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së kryesisë ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të përgjigjet në pyetjen se përse e lejoi Milan Radojçiç-in të largohej më 24 shtator, kur ndodhën sulmet terroriste në Banjë.

Sipas Tahirit, kryeministri duhet të përgjigjet vetëm në një pyetje

“Kryeministri i Kosovës, duhet të përgjigjet në një pyetje tek qytetarët. Në kohë reale më 24 shtator nga pamjet që i ka siguruar droni shihet që është vërejtur Radojiçiçi, përse është lënë të largohet. Ai po ashtu është i dyshuar për një sërë veprash penale në Kosovë, ai atë ditë nuk do të duhej që të largohej, do të duhej të kapej nga Policia e Kosovës”.

Ai ka deklaruar se mostransparenca e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, aktualisht e ka dëmtuar vendin.

Tahiri, ka sqaruar se me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, bëhet një pushtet i trete ose paralel.

“Mostransparenca e kryeministrit e ka dëmtuar shumë vendin. Tashmë e kemi një draft mjaft të dëmshëm për Asociacionin, i cili e sheh mënyrën e shtrirjes territoriale të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

“Një pushtet të tretë ose paralele sido që dëshironi që ta quani sepse për herë të parë po diskutojmë për kompetencat dhe funksionalizimit të Asociacionit”, ka thënë Tahiri.

Ai e ka vlerësuar si “lajm të mirë”, vizitën e Stoltenbergut, ndërsa ka kërkuar që presidentja dhe kryeministri i Kosovës, të bashkëpunojnë më shumë me NATO-në.

“Vizita e Stoltenbergut, është një lajm i mirë. Mendoj që NATO-ja në Kosovë përben akt të sigurisë për të gjithë rajonin. Bashkëpunimi i presidentes dhe kryeministrit të Kosovës, duhet të jetë sa më i afërt në mënyrë që të mos ketë sulme të tilla si ai i 24 shtatorit”.

Ndërsa si PDK, ka theksuar se kanë kërkuar që në seancën e të enjtes të diskutohet për raportin e Bashkimit Evropian.

“Kërkuam që të enjten të diskutohet për raporti për Kosovën që përgatitet nga Bashkimi Evropian”.

Stoltenberg, të hënën do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidenten, Vjosa Osmani me të cilët do të diskutojë për situatën e sigurisë në vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore