Lajme

Tahiri e Gashi lëshojnë mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit: Ka një tendencë të pushtetit për bllokim të secilës punë që e zbardhë të vërtetën


Foto nga arkiva: Kryesia e Kuvendit

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, kanë lëshuar mbledhjen e kryesisë së kuvendit të premten, pasi që kanë thënë se ka një tendencë nga ana e pushtetit, pra Lëvizjes Vetëvendosje, “për bllokim të secilës punë që e zbardhë të vërtetën në këtë vend”.

Gashi e Tahiri e kanë lëshuar mbledhjen e kryesisë pasi që shumica parlamentare ka refuzuar që të shtyhet afati për Komisionin Hetimor për rezervat shtetërore.

“Ka një kërkesë nga Rashit Qalaj që të shtyhet mandati për tre muaj i Komisionit Hetimor për rezervat shtetërore, kërkesa e deputetit në emër të opozitës është që të ndodhë shtyrja e saj. Ne e lëshuam sallën. Është precedent tepër i rrezikshëm në demokracinë dhe në jetën parlamentare që shumica me ngulfatë hetimin parlamentar”.

Besnik Tahiri

Shkurt dhe shqip, sipas deputetit të AAK-së, këta, pra LVV, “janë lëvduar, janë krenuar me qeverisjen e tyre, por problemi qëndron te afera e korrupsionit, qëndron te rezervat shtetërore është aty dhe duan me ngulfat diskutimin në komision hetimor politik për këtë temë”.

“Si AAK kërkesa jonë për këtë keqqeverisje do të jetë në seancën plenare kur do që të mbahet”, shtoi.

Nga ana tjetër, Gashi i LDK-së ka konsideruar se e premtja është njëra “ndër ditët më të këqija” të parlamentarizmit në Kosovë.

Pasi lëshoi sallën ku po mbahej mbledhja, ai theksoi se “sot merr fund përfundimisht njëra prej shtyllave kryesore të demokracisë që është mbikëqyrja parlamentare”.

Arben Gashi

“Nuk ka ndodhur asnjëherë që një qeveri të bllokojë qëllimisht për 6 muaj një Komision Hetimor dhe në fund të pamundësojë vendimmarrjen në atë Komision. Problemi i abuzimit me rezervat shtetërore një ditë do të zbardhet, problemi i pamundësisë së funksionimit të shtyllës kryesore të demokracisë që është mbikëqyrja parlamentare prej është sot është model fatkeq për Kosovën”, tha Gashi.

“Sot e tutje çdo shumicë që do të vijë do ta ketë precedentin e ndërtuar nga VV-ja të bllokimit të Hetimit Parlamentar”, deklaroi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore