Lajme

Tahiri: Dinari mos të bëhet mollësherri për integrimin e vendit


Besnik Tahiri

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka insistuar që cështja e dinarit, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ta ndaluar këtë valutë për pagesa, të mos trajtohet në Bruksel, por edhe ka kërkuar që e njëjta të mos bëhet shkak për stopimin e procesit të integrimit evropian të vendit.

Këto komente, Tahiri i ka bërë në një kohë kur vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, po kërkojnë që tema e dinarit të jetë pjesë e dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Unioni.

“Çështja e dinarit është vendim i brendshëm i Kosovës. Valuta euro është tanimë valutë që 22 vjet, dhe nuk duhet të diskutohet as në Bruksel, as dikund tjetër”, tha Tahiri për “EkonomiaOnline”.

Në vlerësimin e deputetit të AAK-së, problemi qëndron se kjo qeveri i nxjerr disa tema, sipas tij, “pa kurrfarë nevoje, që pastaj i kthehen në tema që e pengojnë ecjen përpara të Kosovës, e në veçanti e pengojnë në rrugëtimin e saj për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar”.

Kjo, pohon Tahiri, “ka ndodh”, teksa insiston se dinari s’duhet të diskutohet askund, por duhet “të trajtohet me partnerë tanë në Kosovë për t’u gjetur një zgjidhje”.

“Mirëpo, është shumë e rëndësishme që kjo të mos na bëhet mollë sherri në rrugëtimin tonë drejt integrimit evropian”.

Çështja e dinarit serb, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e kësaj valute për pagesa në territorin e Kosovës, ka bërë që skena politike, si pozita, por edhe opozita, të kenë qëndrime të ndryshme me bashkësinë ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës, por edhe opozita kanë deklaruar se kjo çështje nuk duhet të jetë pjesë e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, pasi që e kanë konsideruar si një çështje të brendshme, mirëpo ndryshe mendojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe vendet e tjera perëndimore. Ata kanë kërkuar që tema e dinarit të trajtohet në dialog.

Vendet perëndimore kanë kritikuar qeverinë e drejtuar nga Albin Kurtit për, siç kanë thënë ata, moskoordinimin me ta lidhur me çështjen e dinarit serb.

Madje, SHBA-të kanë theksuar se ky vendim ka afektuar raportet në mes të dy vendeve respektive.

Qeveria e opozita thonë se çështja e dinarit s’duhet të jetë temë në dialog, ndryshe nga amerikanët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore