Shqipëria

Tabaku: Nuk ekziston asnjë procedurë koncesioni për Inceneratorin e Elbasanit


Kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, deputetja demokrate Jorida Tabaku, pas mbledhjes së radhës, nga kryesia e Kuvendit të Shqipërisë ka deklaruar se nuk ekziston asnjë procedurë koncesioni për Inceneratorin e Elbasanit.

“Praktikisht nuk ekziston për shtetin shqiptar Inceneratori i Elbasanit dhe përgjegjës i përfshirë drejtpërdrejt në këtë vendimmarrje është Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë”, tha Tabaku në fjalën e saj.

Ajo theksoi se jo vetëm i Elbasanit, po edhe ai i Fierit dhe i Tiranës janë në shkelje me ligjin.

“Të tre inceneratorët nuk kanë pasur vlerësimin e ndikimit në mjedis, nuk kanë pasur leje mjedisore, nuk kanë plotësuar kërkesat e ligjit, kanë shkelur me të dyja këmbët ligjin për sa i përket këtyre procedurave, por nga ana tjetër sot zbuluam që institucione zyrtare shtetërore i lanë duart dhe thanë se nuk na kanë përfshirë në këtë aferë”, vijoi Tabaku në fjalën e saj.

Sipas saj, “ këtu nuk bëhet fjalë për incenerimin, por fakti është pse u vendos të ndërtoheshin tre inceneratorë, kur nuk funksionojnë. Janë tenderuar para për inceneratorë që nuk ekzistojnë. Të tre procedurat janë korruptive dhe për pasojë edhe zbatimi i kontratës koncesionare janë korruptive”.

Nga ana tjetër duke vijuar me akuzat tha se kryetari i Bashkisë së Elbasanit, “ne sot dëgjuam disa pohime të rëndësishme nga ai”.

“Sot zbuluam se institucionet shtetërorë i lanë duar duke thënë se nuk jemi të përfshirë në këtë aferë”, ravijëzoi Tabaku.

Tabaku ngre pyetje se pse ky tender ju dha kompanive që  nuk kanë asnjë eksperiencë në këtë fushë.

“Kompanitë kanë paguar veten e tyre. Kanë paguar shpenzime të jashtëzakonshme për inceneratorë që nuk ekzistojnë. Kanë marrë monopole, kontrata dhe licenca”.

Ajo e mbylli duke thënë se priten ende dëshmitarë të tjerë në Komision.

“Të premten do të denoncojmë fakte të reja. Jemi në pritje edhe të dëshmisë së administratoret të Fierit”, e përmbylli ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore