Lajme

Szunyog: Shpresoj se produktet mjekësore në komunat e banuara me shumicë serbe do të dorëzohen shpejt


Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka vlerësuar miratimin e barnave dhe furnizimeve mjekësore për spitalet në pjesën e Kosovës të banuar me shumice serbe.

Szunyog, përmes një shkrimi në platformën ‘X’ ka thënë se shpreson që dorëzimi i tyre do të bëhet sa më shpejt.

“Vlerësojmë miratimin e shpejtë nga Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe ekipi i tij i kërkesës për ofrimin e barnave dhe furnizimeve mjekësore për spitalet dhe qendrat shëndetësore në zonat e komunitetit me shumicë serbe të Kosovës”.

“Shpresoj se do të dorëzohen shpejt”, ka deklaruar Szunyog.

Më 17 tetor, Albanian Post kishte pranuar një përgjigje nga ministria e Shëndetësisë ku kishte thënë se furnizimi i institucioneve shëndetësore në nivel vendi, pa përjashtim bëhet sipas planifikimit dhe kërkesave të institucioneve shëndetësore përmes Sistemit të Menaxhimit të Stokut Farmaceutik (SMSF).

“Furnizimi i QKMF-së në Partesh është bërë rregullisht sipas kërkesës së institucionit, ku nga janari deri me tani, për këtë institucion janë bërë 4 furnizime me barna dhe pajisje medicinale. QKMF në Ranilluge është furnizuar vazhdimisht sipas kërkesës se institucionit, ku nga janari deri me tani janë bërë 10 furnizime sipas kërkesës së tyre”, thuhej në përgjigjen e MSH-së për AP.

Po ashtu, thuhej se edhe qendra kryesore e mjekësisë familjare në Gracanicë dhe në Shtëprcë janë furnizuara me barna sipas kërkesave që kanë pasur.

“QKMF në Graçanicë është furnizuar vazhdimisht sipas kërkesës se institucionit, ku kërkesa e fundit nga ana e tyre ka qenë në vitin 2020”.

“Ndërsa, QKMF në Shtërpcë nuk ka paraqitur asnjëherë ndonjë kërkesë për furnizim me barna dhe produkte tjera medicinale”.

Kërkesat për barna dhe pajisje mjekësore trajtohen nga komisioni i donacioneve në ministrinë e Shëndetësisë.

Në muajin tetor, disa barnatore private në Mitrovicë të Veriut, kishin thënë për media se kërkesa për të gjitha produktet mjekësore është rritur për shkak të “mungesave” në institucionet shëndetësore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore