Lajme

Szunyog: Konvertimi i tabelave të Serbisë në ato RKS brenda dy muajsh “nuk është me vend”


Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog.

Shefi i Zyrës së Bashkimi Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka deklaruar se duhet të zgjatet afati për konvertimin e targave të veturave me regjistrim të Serbisë që qarkullojnë në Kosovë.

Szunyog gjatë një interviste për Radio Kosovën e ka quajtur të pavend kërkesën e Qeverisë së Kosovës që ky konvertim i tabelave të bëhet brenda dy muajve.

“Vendimi  i qeverisë që targat e veturave me regjistrim të Serbisë që qarkullojnë në Kosovë të konvertohen në  ato RKS brenda dy muajsh, mendoj që është vendim jo bash me vend”, deklaroi ai.

Ai ka shtuar se është një kornizë e cila tregon udhëzime të qarta se si të veprohet në këto raste.

“Duhet thënë që janë edhe dy elemente të rëndësishme që duhen veçuar: e para është që zgjidhja duhet të gjendet me atë njerëz që janë të prekur nga kjo çështje, dhe e dyta është që zbatimi  i marrëveshjes për targa duhet të bëhet brenda 12 muajve, besoj që kjo është e paraparë edhe me  dy marrëveshjet e arritura në vitin 2011 dhe 2016”.

Shefi i Zyrës së Bashkimi Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

I pyetur rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe se a duhet të pritet një marrëveshje finale mes dy vendeve, ai ka refuzuar që të spekuloj ndonjë datë.

“Nuk dua të spekuloj me data, gjithashtu Bashkimi Evropian është vetëm ndërmjetësues në këtë dialog, i cili është i varur tërësisht nga agjendat që përcaktohen nga Prishtina dhe Beogradi. Ne shpresojmë  që marrëveshja finale për normalizim të raporteve të arrihet sa më shpejt, por sërish po e them, varet nga të dyja palët”.

Ai tutje ka shtuar se Qeveria e Kosovës, e ka të qartë kornizën përmes së cilës duhet të veproj për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumice Serbe.

“Mendoj që korniza për kompromis është mjaft e qartë. Fillimisht ju e keni marrëveshjen e vitit 2013, e cila është negociuar, nënshkruar dhe ratifikuar nga Kuvendi i  Kosovës. Po ashtu keni edhe marrëveshjen e vitit 2015 dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, po atë vit. Pra, këto tri elemente janë kornizë e qartë mbi të cilat duhet të veprojë Qeveria e Kosovës”.

Szunyog, konsideron se ky është edhe obligim i brendshëm i Kosovës.

“Pra, unë do të thosha që ky nuk është vetëm një obligim ligjor ndërkombëtar, por edhe obligim i brendshëm që Kosova duhet ta zbatojë në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013, Kushtetutës  dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Sa i përket njohjes se pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian ai është shprehur se është “vendim ekskluziv i vendeve anëtare të BE-së”.

“Pos sipas asaj që kam parë unë gjatë diskutimeve të mia me përfaqësues të zyrave ndërlidhëse të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën por që kanë zyrat e tyre në Prishtinë, ata presin të shohin  përparim në dialogun me Serbinë dhe normalizim të raporteve. Kjo mendoj që mund të ndikojë te këto shtete për të parë se si do të vazhdojnë më tutje”.

Shefi i zyrës së BE-së, edhe një herë theksoi se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave.

“Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet që nga 2018 dhe se duhet dhënë liberalizimi i vizave. Është e rëndësishme që Presidenca Çeke e ka vënë në agjendë të Këshillit të Ministrave dhe ky është një mesazh i fortë se mund të arrihet një pajtim për ta bërë liberalizimin e vizave. Por, më duhet ta theksoj se ku takim i 13 tetorit është vetëm takim i grupit punues, pra është takim në nivel ekspertësh, të cilët diskutojnë të dhënat që i janë ofruar nga Komisioni Evropian”.

Më 13 tetor, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian.

Këtë e kanë konfirmuar burimet diplomatike të BE-së në Bruksel.

“Pasi Presidenca Çeke mendon se arsyet e lidhura me politikën e jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën janë bindëse, ajo shpreson se të gjitha shtetet anëtare të BE-së do të arrijnë pajtim të brendshëm politik për këtë çështje”.

“Qasja gjeopolitike e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është e domosdoshme. Rajoni ka nevojë për sinjal të qartë se procesi i zgjerimit të BE-së është i besueshëm dhe se BE-ja është e gatshme t’i shpërblejë përpjekjet për reforma që bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhej në dokument.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore