Financa

SWIFT, ose ndryshe “bomba nukleare financiare” – Përse është kaq fatale për një shtet të përjashtohet nga ky sistem?


Sistemi global i mesazheve të pagesave elektronike, i njohur si SWIFT.

Konflikti mes Ukrainës dhe Rusisë dhe sanksionet të cilat janë vendosur nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka bërë që të flitet shumë edhe për platformën e komunikimit që përdoret nga bankat e quajtur Shoqëria Mbarëbotërore Inter-bankare dhe Financiare e Telekomunikimit, ose ndryshe SWIFT.

Largimi nga SWIFT-i, është konsideruar si njëra nga masat më të ashpra për Rusinë, sepse nënkupton largimin e sistemit financiar rus nga sistemi global i mesazheve të pagesave elektronike.

Nagip Skenderi, profesor në Fakultetin Ekonomik sqaron për Albanian Post, se vendosja e sanksioneve nga BE-ja për këtë platformë do të sjellë dëme të mëdha në aspektin ekonomik.

“Pasojat për ekonominë ruse në këtë rast janë më të mëdha, sepse ekonomia ruse është më e zhvilluar, e integruar plotësisht në kominitetin financiar global dhe largimi nga kjo platformë e Rusisë do të krijojë vështirësi ekonomike për këtë shtet”, thotë Skenderi.

“Do të ketë problem për pagesat jashtë vendit derisa nuk gjen mundësinë e përshtatjes ndaj platformave tjera dhe kjo ndikon që ekonomia ruse të tkurret, valutës nacionale ruse i bie vlera në një periudhë të shpejt kohore në raport me shportën valutore konvertibile”.

Brenda SWIFT-it janë 11 mijë banka anëtare të cilat komunikojnë me njëra tjetrën përmes një gjuhe të standardizuar që njihet si “mesazhi SWIFT”.

Pra SWIFT, është në njëfarë mënyrë “G-mail” i sistemit bankar botëror.

Transaksionet që bëhen brenda këtij sistemi kapin shifra trilionëshe. Ndërsa, sipas të dhënave të vitit të kaluar, brenda ditës kryhen rreth 42 milionë transaksione në SWIFT. Duke përfshirë tregtinë, shkëmbime monetare, urdhëra pagesash dhe konfirmime të tjera financiare.

Aq i fuqishëm është sistemi saqë ministri i Punëve të Jashtme të Francës, në kohën kur flitej për ta përjashtuar Rusinë, e kishte titulluar SWIFT-in si “arma nukleare financiare”.

Sistemi korporativ financiar ishte themeluar në vitin 1973 për të përshpejtuar tregtinë botërore.

Prandaj largimi nga SWIFT është kaq i dhimbshëm për ekonominë e një shteti.

Një përjetim i freskët është viti 2012, kur Bashkimi Evropian, si pjesë të sanksioneve kundër programit nuklear të Iranit, e kishte përjashtuar këtë shtet.

Ndërsa, kur në vitin 2016 Rusia rrezikonte kyçjen, Alexei Kudrin, atëherë ministër i financave në Rusi dhe njeri i afër me Putinin, kishte thënë se mos-prania në sistem i kushton Rusisë me zvogëlim të ekonomisë ruse me 5 për qind çdo vit.

Brenda SWIFT janë plot 200 shtete.

Mes tyre, bën pjesë edhe shteti i Kosovës.

Sistemi global i mesazheve të pagesave elektronike, i njohur si SWIFT.

“Kosova është pjesë e këtij sistemi nga viti 2013 kur edhe i është ndarë kodi XK dhe institucionet bankare në Kosovë e përdorin SWIFT për të ekzekutuar transaksione ndërkombëtare”, ka shpjeguar ekonomisti, Astrit Retkoceri, për Albanian Post.

Ratkoceri, sqaron edhe se çka është ky aplikacion i cili po përflitet shumë që nga fillimi i konfliktit të Ukrainës mes Rusisë.

“SWIFT në vete nuk është institucion monetar ai nuk mban ose transferon asete. Përkundrazi, dobia e tij qëndron në fuqinë e tij për të lehtësuar komunikimin e sigurt dhe efikas ndërmjet institucioneve anëtare. SWIFT i cakton çdo organizate financiare një kod unik që ka ose tetë karaktere ose 11 karaktere”.

Edhe Retkoceri thotë se largimi i një vendi nga SWIFT, nënkupton shkëputje nga shumica e transaksioneve financiare globale.

“Në rastin konkret Rusia do të humbte shumë përfshi këtu përfitimet nga tregu global i naftës dhe gazit, të cilat përbëjnë plot 40% të të ardhurave të saj”.

 

BE përjashton shtatë banka ruse nga sistemi SWIFT

Të mërkurën e 2 marsit, Bashkimi Evropian ka larguar shtatë banka ruse nga sistemi global, SWIFT.

Në mesin e tyre janë: VTB Bank, Bank Otkritie, Novikombank, Promsvyazbank, Rossiya Bank, Sovcombank and VEB, sipas një deklarate të bllokut evropian.

“Me shpejtësi të dritës, Bashkimi Evropian ka miratuar tri valë të sanksioneve të ashpra kundër sistemit financiar të Rusisë, industrive të teknologjisë së lartë dhe elitës së korruptuar”, ka bërë të ditur shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen përmes një komunikate.

Bashkimi Evropian.

“Kjo është paketa më e madhe me sanksione në historinë e Bashkimit Evropian. Vendimi i sotëm shkëput bankat kyçe ruse nga rrjeti SËIFT dhe dërgon një tjetër sinjal të qartë për Putinin dhe Kremlinin”.

Në listë nuk janë përmendur bankat e mëdha ruse, Sberbank dhe Gazprombank, të cilat kanë qasje në SWIFT për t’ua mundësuar shteteve të BE-së të kryejnë pagesa për naftën dhe gazin rus.

Mirëpo një zyrtar i lartë i BE-së ka thënë se lista do të jetë “vazhdimisht nën shqyrtim”.

Sulmi i Ukrainës ndaj Rusisë, ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian si dhe Kosova janë përgjigjur me sanksione të ashpra ndaj Rusisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore