Kosova

Sveçlës i del “gjumi vonë” thotë se anëtarësimi në INTERPOL është çështje e pengesave politike


Ilustrim

Kosova do të duhej të dorëzojë dokumentacionin e duhur për aplikim në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale, apo siç njihet ndryshe INTERPOL, gjatë vitit 2022, siç kishte njoftuar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një paraqitje publike, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Në vitin 2021, ministri i Brendshëm, kishte konfirmuar se Kosova gjatë vitit të ri kalendarik (2022) do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme që anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL të jetë i sigurt, meqë sipas tij aktualisht (2021) nuk mund të aplikojë në këtë organizëm ndërkombëtar me arsyetimin se “ka mungesë të përgatitjeve serioze nga institucionet e Kosovës”.

“Unë, qysh më herët, kam marrë vendim që në sesionin e këtij viti ne nuk do të aplikojmë për anëtarësim në INTERPOL, duke parë mungesën e përgatitjeve serioze nga institucionet e Kosovës. Tashmë kemi krijuar grupin punues, i cili do të përgatisë të gjithë dokumentacionin, por edhe do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që anëtarësimi i Kosovës në vitin e ardhshëm të jetë i sigurt”, kishte deklaruar ai.

2 vjet më vonë anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL në dukje të parë është vetëm një dëshirë i Sveçlës, meqë sipas tij integrimi i vendit në këtë organizëm ndërkombëtar është “çështje e pengesave politike”.

Sveçla e dinte se anëtarësimi i Kosovës jo vetëm në INTERPO-l, por edhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare është më shumë problem politik, sesa çështje e përgatitje teknike, megjithatë zgjodhi një frazim të tillë shpresëdhënës, të cilin s’mundi ta realizojë.

Ndërsa tani, befasisht, thotë se mungesa e aplikimit vije si rrjedhojë e pengesave politike, marrë parasysh mos-njohjen e shtetësisë së Kosovës nga pesëshja e Bashkimit Evropian dhe një duzinë shtetesh të tjera.

“Për sa i takon aftësive të Policisë së Kosovës patjetër që jo vetëm se Policia e Kosovës do të ishte pjesë e INTERPOL-it, por do të ishte një ndër policit më të mira në INTERPOL ashtu siç është policia në rajon, është çështje e pengesave politike për të cilat ne jemi dëshmitarë. Unë jam i bindur se me një mobilizim të duhur të të gjithë akterëve në këtë fushë ne do të arrijmë edhe këtë sukses”, pohoi ai në një prononcim për media me rastin e 24-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.

Ilustrim

Me deklaratën e sotshme Sveçla dëshmon, ndoshta jo-qëllimshëm, se dikasteri të cilën ai drejton ka dështuar edhe të punojë në bindjen e shteteve skeptike e mos-pranuese të Kosovës në këtë organizatë, meqë ai kishte premtuar edhe një “strategji lobimi” për këtë çështje.

“Do të fillojmë me përgatitjen e strategjisë për lobim, do të kontaktojmë së pari me aleatët tanë, ku nuk do të bisedojmë për votën e tyre, por për mbështetjen e tyre në këtë proces. Normalisht, pastaj do të kalojmë shtet për shtet së bashku me MPJ-në për të shpjeguar dobitë që jo vetëm Kosova, por edhe rajoni dhe gjithë bota demokratike do të ketë prej anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL”, pati pohuar ai.

Kosova nuk kishte arritur të bëhet vend anëtare e INTERPOL-it, gjatë vitit 2018, pasi që nuk kishte mundur ta sigurojë shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme.

Në rrethin e parë të votimit, anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, e kishin mbështetur 76 shtete, kundër saj ishin 56 shtete, kurse 22 kishin abstenuar.

Ndërkaq, në rrethin e dytë të votimit, Kosova kishte marrë votën e 68 shteteve, 51 ishin kundër ndërsa 16 kishin abstenuar.

Ndërkohë Kosova kishte dështuar për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, në po të njëjtën ditë Asambleja e Përgjithshme kishte votuar për anëtarësimin e dy vendeve të reja, Kiribati dhe Vanuatu.

Ç’u bë me zotimin e Sveçlës se Kosova do aplikonte për anëtarësim në INTERPOL këtë vit?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore