Lajme

Ç’u bë me zotimin e Sveçlës se Kosova do aplikonte për anëtarësim në INTERPOL këtë vit?


Ilustrim

Qeveria e Kosovës, më saktësisht Ministria e Punëve të Brendshme, gjatë 12 muajve të vitit 2022 do të duhej të përgatitej për të dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale, apo siç njihet ndryshe INTERPOL.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një paraqitje publike, gjatë vitit të kaluar (2021) kishte deklaruar se Kosova nuk do të aplikojë për anëtarësim në këtë organizatë ndërqeveritare me arsyetimin se “ka mungesë të përgatitjeve serioze nga institucionet e Kosovës”.

Por, i njëjti kishte kumtuar lajmin se Kosova do t’i dorëzojë dokumentacionet e duhura për aplikim në INTERPOL gjatë këtij viti (2022), pra atëherë kur “piqen kushtet”.

“Unë, qysh më herët, kam marrë vendim që në sesionin e këtij viti ne nuk do të aplikojmë për anëtarësim në INTERPOL, duke parë mungesën e përgatitjeve serioze nga institucionet e Kosovës. Tashmë kemi krijuar grupin punues, i cili do të përgatisë të gjithë dokumentacionin, por edhe do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që anëtarësimi i Kosovës në vitin e ardhshëm të jetë i sigurt”, kishte deklaruar ai.

Por, ku realisht qëndron Kosova me aplikim në INTERPOL?

Albanian Post të martën i ka dërguar e-mail zyrës për media pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme për të marrë një qëndrim zyrtar se a do të aplikojë apo jo Kosova për anëtarësim në familjen botërore të Policisë, që lufton krimin transnacional.

Por, deri në publikimin e këtij artikulli redaksia nuk ka pranuar një përgjigje lidhur me pyetjen e parashtruar, ndonëse zyra në fjalë ka konfirmuar se ka pranuar pyetjen e AP-së.

“Ju shkruajmë kur të kemi edhe ne përgjigjen”, ishte deklaruar njëri nga zyrtarët për media në MPB.

Ilustrim

Kosova nuk kishte arritur të bëhet vend anëtare e INTERPOL-it, gjatë vitit 2018, pasi që nuk kishte mundur ta sigurojë shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme.

Në rrethin e parë të votimit, anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, e kishin mbështetur 76 shtete, kundër saj ishin 56 shtete, kurse 22 kishin abstenuar.

Ndërkaq, në rrethin e dytë të votimit, Kosova kishte marrë votën e 68 shteteve, 51 ishin kundër ndërsa 16 kishin abstenuar.

Ndërkohë Kosova kishte dështuar për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, në po të njëjtën ditë Asambleja e Përgjithshme kishte votuar për anëtarësimin e dy vendeve të reja, Kiribati dhe Vanuatu.

Mungesa e lobimit apo mos-përgatitja e duhur institucionale, ndoshta, kanë mundur të jenë pikat kryesore se pse MPB-ja është ndjerë e pasigurt për të aplikuar në INTERPOL.

Ndonëse arsyet për këtë mos-veprim për publikun kosovarë nuk janë të qarta, ajo çfarë është evidente, ishte premtimi i ministrit Sveçla, se dikasteri të cilën ai drejton do të punojë për t’i bindur shtetet skeptike e mos-pranuese.

“Do të fillojmë me përgatitjen e strategjisë për lobim, do të kontaktojmë së pari me aleatët tanë, ku nuk do të bisedojmë për votën e tyre, por për mbështetjen e tyre në këtë proces. Normalisht, pastaj do të kalojmë shtet për shtet së bashku me MPJ-në, që dobitë që jo vetëm Kosova, por edhe rajoni dhe gjithë bota demokratike do të ketë prej anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL”, pati deklaruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore