Lajme

Sveçla me drejtorin e Policisë, diskutojnë për zbatimin e rekomandimeve të IPK-së


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të premten është takuar me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe kryeshefin e Inspektoriatit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, me të cilët ka diskutuar për zbatimin e rekomandimeve të dalura nga inspektimet e IPK-së për Policinë e Kosovës.

“Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla me ekipin e tij ka pritur sot në takim pune  Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Kolonel Gazmend Hoxha dhe Kryeshefin e IPK-së Kushtrim Hodaj me ekipet e tyre,  për të diskutuar mbi bashkëpunimin mes dy agjencive dhe zbatueshmërinë e rekomandimeve të dalura nga inspektimet e IPK-së për Policinë e Kosovës”, thuhet në komunikatën dërguar mediave.

Më 30 nëntor, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), kishte publikuar raportin e inspektimit lidhur me “Trajtimin e dhunës në familje nga Policia e Kosovës”, në të cilin ishin dhënë rekomandimet që kanë të bëjnë me nevojën e përmbushjes së ekipeve hetimore për trajtimin e rasteve.

Në këtë raport ishin përfshirë 9 rekomandime që kishin të bëjnë me nevojën e përmbushjes së ekipeve hetimore me personel të mjaftueshëm për trajtimin e rasteve, ushtrimin e kontrolleve për të siguruar kohë më të shpejtë të reagimit në thirrje të qytetarëve për dhunë në familje.

Përfshirë këtu edhe përpilimin e raporteve ditore lidhur me të gjitha rastet, ndjekjen e procedurës së aprovimit të kallëzimeve penale sipas zinxhirit komandues të përcaktuar, sigurimin e teknologjisë për komunikimin për intervistimin e palëve, krijimin dhe funksionalizimin e “dhomave mike” në kuadër të stacioneve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore